Shqetësimeve të këshilltarëve të Kuvendit Komunal të Gjilanit, veçanërisht të Vetëvendosjes për Palestrën e Sporteve në Zhegër, iu është përgjigjur nënkryetar i Komunës, Arbër Ismajli, transmeton 2LONLINE.
Fillimisht, ishte Xhelal Hajrullahu, anëtar i Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, i cili, ndër tjerash, ngriti çështje edhe të Palestrës Sportive në Zhegër, duke thënë se dinamika e punëve aty është shumë e vogël dhe se, nëse vazhdohet me atë intensitet, me të cilën po punohet, dita e ndërtimit të kësaj palestre do të jetë shumë e largët.
Hajrullahu pati vërejtje, se po jepen afate kohore, për projekte të ndryshme, por siç tha, duket se po mbesin deklarata verbale dhe premtime boshe, sa për t’i hequr qafe ata që interesohen për këto çështje, sepse situata në terren tregon krejt diçka tjetër.
Nga ana e tij, nënkryetari i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka pranuar se dinamika e punëve në këtë projekt të palestrës, është ende e ngadaltë dhe jo e mirë.
Mirëpo, Ismajli ka thënë se i garanton qytetarët e Zhegrës, por edhe anëtarët e Kuvendit nga Vetëvendosje, që ngritën këtë shqetësim, që nëse operatori ekonomike nuk i përmbush planet dinamike të punimeve, në këtë projekt, detyrohen njëanshëm ta bëjnë shkëputjen e kontratës me të.
Ismajli ka thënë se nga organet komunale është duke u bërë monitorimi i plotë i operatorit ekonomik dhe punëve që po kryhen në këtë projekt. Ai tha se edhe kryetari komunës, por edhe vet ai personalisht ka dalë në terren dhe e ka vizituar edhe këtë vendëpunim, e do të dalin sërish, dhe në rast që operatori ekonomik nuk e zbaton kontratën, nuk i kryen obligimet e tija, do të ndodh ajo që paralajmëroi.
Seanca e sotme e Kuvendit Komunal të Gjilanit po vazhdon me pika të tjera të rendit të ditës.