Komiteti për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19 në Gjilan, nën udhëheqjen e nënkryetarit Arbër Ismajli, ka mbajtur takimin e të hënës për vlerësimin e situatës së pandemisë në dy ditët e fundit.
Nënkryetari Ismajli ka bërë të ditur se aktualisht numri i rasteve aktive në Gjilan është 95.
Krahasuar me javët e fundit, numri i rasteve të infeksionit është më i ulët, por Ismajli tha se kjo nuk lejon komoditet, duke apeluar qytetarët dhe bizneset që japin shërbime, që t`u përmbahen masave kundër përhapjes së virusit, siç janë maska, distanca dhe higjiena personale.
Pasqyra e përgjithshme në Gjilan që prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 11081 mostra, 3592 kanë rezultuar pozitivë, 3387 janë shëruar, 110 qytetarë e kanë humbur betejën me virusin, 95 raste janë aktive, të hospitalizuar me COVID janë 16 persona dhe 315 mostra në pritje për rezultat. /2LONLINE.com/