Me një qetësi të vërtetë dimri, në pranverë, Malësia e Zhegocit e mbështjellur në bardhësitë e mrekullisë së krijuesit, kishte fuqinë e saj unike të natyrës, nën kujdesin maksimal të banorëve të cilët po zbatojnë masat kundër virusit Covid-19.
Të tillë e gjetëm këtë pjesë të Gjilani dhe shërbimet që jepeshin nga ambulanta e Kishnapoles, ku përpos rasteve të mundshme që mund të kërkonin ndihmën e mjekut, ato ishin krejtësisht normale por pa shenja të koronavirusit.
“Është popull i shëndosh me energji të madhe dhe me probleme shëndetësore të lehta sikur ndonjë kërkesë e vogël dhe normale, për ndonjë kontrollë, injeksion apo infuzion”, thanë mjeku kujdestar, Naim Kamberi dhe tekniku Ramadan Azemi.
Nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, në këtë vizitë shoqërohej nga drejtori i Shëndetësisë, Selami Xhemajli dhe qëllim i vizitës ishte informimi për gjendjen në këtë anë, apo edhe nevojat për ndonjë rast eventual me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale.
“Sot jemi këtu që t’u falënderojmë për punën që bëhet këtu dhe njëkohësisht edhe për sfidat në këtë proces në përballim me gjendjen në të cilën jemi me koronvirusin. Komuna e Gjilanit do të jetë pranë jush në çdo moment për mbështetje në sektorin e shëndetësisë, por edhe të banorëve të kësaj ane varësisht nga gjendja. Është shembull shumë i mirë solidariteti që po ndodh duke mbështetur njëri-tjetrin në çdo moment. Lutemi së bashku që ta kalojmë këtë situatë, me të cilën po përballet e gjithë bota”, ka thënë nënkryetari Ismajli.
Përfaqësuesi i malësisë së Zhegocit, Rexhep Sejdiu, e ka falënderuar Komunën e Gjilanit për mbështetjen në këtë kohë kur vendi po përballet me pandeminë.
“Kishnapola dhe fshtarat e kësaj ane, është gjendje e qetë sa i përket brengës për covid19 dhe njëkohësisht në rresht me angazhimin e Komunës është potencuar mbështetje maksimale edhe nga Këshilli i fshatit”, ka deklaruar Rexhep Sejdiu.
Sejdiu ka thënë se janë në gjendje gatishmërie për t’u përballur me çfardo situate apo nevojë që kanë banorët e kësaj ane, sepse solidariteti qytetar është në nivelin më të lartë dhe bashkarisht edhe me asistimin e Komunës do ta tejkalojmë këtë deri në normalitetin e plotë.