Në takimin virtual, organizuar nga përfaqësuesit e projektit të USAID-it, Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (TEAM), është bërë prezantimi i rezultateve për Komunën e Gjilanit, në kuadër të raportit të gradimit për vitin 2019.
Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli ka thënë se në këtë raport, Komuna e Gjilanit, ka arritur rezultate pozitive, duke e tejkaluar pragun minimal të gradimit për 9 prej 12 treguesve. Krahasuar me vitin e kaluar, Komuna e Gjilanit, ka shënuar progres prej 45.27% në vitin 2019. Kurse, sa i përket pikëve, prej 43.67 pikësh në vitin 2017, komuna arriti në 53.28 pikë në vitin 2018. Ndërsa, në vitin 2019, renditemi me 77.40 pikë.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë fuqishëm, në mënyrë që në vlerësimin e ardhshëm të performancës, i cili është në janar të vitit 2021, t’i përmbushim të gjitha kriteret e gradimit prej 80 pikësh, si dhe kriteret individuale të treguesve, duke shënuar së paku 6 pikë për secilin tregues, në mënyrë të tillë që ta fitojmë statusin e komunës nën monitorim”, ka thënë Ismajli.
Ai ka falënderuar për përkrahje në këtë rrugëtim edhe në këto kushte pandemie, për USAID-in, menaxhmentin e projektit TEAM, Jeton Cana, Afërdita Mekuli e Agim Salihu, si dhe këshilltarët e projektit për Komunën e Gjilanit, Ibadete Guri (prokurim), Mirlinda Ahmeti (auditim) dhe, Gazmend Ahmeti (financa).
“Këshilldhënia dhe angazhimi i kësaj ekipe, na bënë më të përkushtuar në arritjen e objektivit të synuar si komunë”, ka thënë nënkryetari Ismajli. /2LONLINE.com/