Fjala e Ismajl Kurteshit deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje në seancën e Kuvendit të Kosovës lidhur me Projekt-ligjin për Buxhetin 2015.
(2L ONLINE) – Buxheti për arsimin ndikon në të gjitha sferat e jetës. Këtë më së miri e ilustron një përgjigje e ish kryeministrit britanik Tony Blair, në pyetjen se cilat janë tri prioritetet e tij. Ai kishte thënë prioriteti i tij i parë, i dytë dhe i tretë është arsimi.
Se si e ka trajtuar kjo qeveri arsimin, më së miri flet buxheti të cilin ne sot e kemi para vetit. Në buxhetin për vitin 2015 janë paraparë vetëm 3% të buxhetit të përgjithshëm për arsim, e që është jashtëzakonisht pak për ta nxjerrë arsimin nga kjo gjendje në të cilën është.
Nëse e krahasojmë këtë buxhet me buxhetin e vitit 2014, ky buxhet është për 10% më i vogël, që do të thotë se kjo qeveri është edhe më e papërgjegjshme sesa qeveria e kaluar në raport me arsimin. Për të qenë e keqja edhe më e madhe, edhe nga ato 46 milionë euro të ndara, ndarja nuk është aspak e drejtë.
Është brengosës fakti se buxheti i Ministrisë në sferat ku ndikohet në rritjen e cilësisë në arsim është shumë i vogël. Për shembull, për teknologjinë informative në Arsimin Parauniversitar Ministria e Arsimit ka planifikuar vetëm 150.000 euro, e në anën tjetër vetëm për zyrën e Ministrit janë planifikuar mbi 200.000 euro.
Për pajisje laboratorike dhe inventar janë planifikuar 2.478.112 euro. Por, është interesant se si këto dy lloj pajisje që dallojnë shumë nga njëra tjetra, pajisjet laboratorike që rrallëkund i hasim në shkollat tona edhe pse janë shumë të rëndësishme për ngritjen profesionale të nxënësve dhe inventari, që po ashtu është i domosdoshëm, por është i një natyre krejt tjetër, janë futur me një vend dhe nuk dihet se sa nga këto mjete do të shkojnë për laborator e sa për banka e karrige. Pavarësisht se si do të ndahen këto mjete, janë të pamjaftueshme për t’i përmbushur nevojat e Arsimit Parauniversitar qoftë me laborator qoftë me inventar.
Prezantimi i buxhetit duke i bashkuar komponentët e ndryshëm dhe përgjithësimet e shumta, mundësojnë manipulim të buxhetit. Nuk mund të shpjegohet ndryshe bashkimi i këtyre komponentëve.
Edhe 374.000 eurot e planifikuara për trajnimet profesionale në të gjitha qendrat e mëdha të Kosovës janë të pamjaftueshme për t’i trajnuar rreth 20 mijë mësimdhënës që janë të angazhuar në procesin mësimor në Kosovë.
Mjetet e planifikuar për ndërtimin e shkollave, sallave të sportit nëpër shkolla, fushave të sportit, laboratorëve, kabineteve dhe punëtorive për shkollat e mesme profesionale janë shumë të vogla, kur kihet parasysh se ende kemi shkolla ku mësimi zhvillohet në tri ndërrime, kurse numri i nxënësve nëpër klasë është mbi numrin e lejueshëm. E sallat e sportit, laboratorët e kabinetet mungojnë në shumë shkolla të vendit tonë. Edhe mjetet e parapara për fëmijët me nevoja të veçanta janë jashtëzakonisht të vogla.
Kur jemi të arsimi, kabineti qeveritar duhet ta ketë parasysh se si rezultat i kufizimit të numrit të mësimdhënësve, që shpesh është në shpërputhje me nevojat reale të shkollave tona, shumë mësimdhënës të punësuar kanë mbetur jashtë listave të pagave. Pra nuk paguhen edhe pse janë duke punuar, dhe qeveria duhet shpejt ta zgjidhë këtë çështje.
Duke e pas parasysh se investimi në arsim është parakusht për avancim të një shoqërie a shteti, është investim në gjeneratat e reja, është investim në zhvillimin ekonomik të vendit tonë, ne kërkojmë të zvogëlohen shpenzimet në luks, dhe të rriten investimet në arsim. Sepse kështu do të mundësohet zhvillimi normal i procesit të arsimit i cili garanton arsimim cilësor të gjeneratave të reja.
Qeveria e re me buxhetin e planifikuar për Kulturë, Rini dhe Sport, ka dëshmuar se këto fusha të rëndësishme janë margjinalizuar skajshmërisht dhe ek anë të vështirë t’i kryejnë edhe funksionet e tyre elementare.
Gjatë 7-8 viteve të fundit, shumë mjete janë shpenzuar në ndërtimin e rrugëve të reja, në zgjerimin e atyre ekzistueseve, por nga planifikimet për këtë fushë të infrastrukturës është përjashtuar Anamorava e cila nuk ka përfituar buxhet për t’u lidhur më mirë me pjesën qendrore të vendit, edhe pse në atë pjesë të Kosovës jetojnë mbi 15% të qytetarëve të Kosovës.
Bazuar në gjithë atë që pamë në këtë projektbuxhet, del se këtë e karakterizon rrudhja në fushat vitale të zhvillimit të shtetit, si arsimi, investimet kapitale dhe të tjera, dhe zemërgjerësia e pakufishme në shpenzimet në luks dhe në mirëqenie të qeveritarëve dhe të njerëzve rreth tyre. /2L ONLINE/