Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fisnik Ismaili, e ka akuzuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli për falsifikim të votave gjatë votimit për miratimin e propozimit të komisionit funksional për shqyrtimin e Projektligjit për organizimin e ndërmarrjeve publike.
“O njerëz, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, para KREJT juve sapo i falsifikoi votat e deputetëve! NUK KA ma demokraci në këtë vend, o njerëz! E kanë zaptue! S’ka mbetë gjë prej këtuhi, nëse nuk kfilleni menjëherë, o milet” (sic), ka shkruar Ismaili në rrjetin social Facebook.
Reagimi i deputetit Ismaili vjen pasi në seancën e sotme në Kuvend u krijua konfuzion lidhur me numrin e votave në votimin e parë elektronik për propozimin e komisionit funksional për shqyrtimin e Projektligjit për organizimin e ndërmarrjeve publike, kryetari i Kuvendit konstatoi se 71 vota janë për, 34 kundër dhe një abstenim, nga 109 deputetë të pranishëm në seancë.
Ndërkohë, u kontestua se me këto vota ekziston shumica për miratimin e këtij propozimi dhe mëpastaj deputetët votuan me ngitje dore dhe pas këtij votimi kryetari Veseli konstatoi se me 76 vota për ka kaluar propozimin e komisionit funksional për shqyrtimin e projektligjit për organizimin e ndërmarrjeve publike.