365 plazhe, nga një të ri për çdo ditë të vitit. Kjo është moto që përdoret vazhdimisht nga promotorët e Antiguas, për të tërhequr turistët.
Por e bukura qëndron se ky pretendim për ishullin e vogël në Karaibe është i vërtetë. Plazhet duket sikur nuk mbarojnë kurrë, me guva dhe “cepa” ku rëra e artë dhe uji i kristaltë tërheqin gjithmonë vëmendjen.
Edhe në kryeqytetin St. John, uji pranë portit ka një ngjyrë përrallore, edhe pse aty ankorohen çdo ditë jahte dhe anije turistike që sjellin mijëra vizitorë.
E gjithë kjo mrekulli, në vetëm 279 kilometra katrorë. Jo më kot, mes personave të famshëm që kanë blerë nga një pronë aty renditen Eric Clapton, Oprah dhe Giorgio Armani. E nëse nuk e përballoni dot çmimin e pasurive të paluajtshme, stafi në më shumë se 30 hotele do t’ju bëjë të ndiheni si në shtëpi.