(2L ONLINE) – Përderisa të gjitha strukturat e LDK-së në Gjilan, përfshirë kryesinë, nëndegët, Forumin e Gruas dhe Forumin e Rinisë, ishin duke mbajtur takim si çdo të shtunë të këtij viti, për vizitë befasuese ka ardhur kryministri dhe kryetari i LDK-së, akademik Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministrat e Kabinetit, kryetari e Podujevës, Agim Veliun dhe deputetë të LDK-së nga Gjilani,thuhet në një njoftim të Degës së LDK-së në Gjilan..
Në vigjilje të përfundimit të madh të 70-vjetorit të masakrës së Gjilanit, kryeministri Mustafa ka ardhur për vizitë dhe i ka falënderuar qytetarët e Gjilanit për kontributin e tyre në ndërtimin e shtetit, duke respektuar gjakun e dëshmorëve, martirëve dhe heronjvë të mëdhënj si: Mulla Idriz Gjilanit, Idriz Seferi, Agim Ramadani etj., të cilët sublimojnë dhe bashkojnë mijëra viktima e dëshmorë të Anamoravës.
Para strukturave të LDK-së, kryeministri dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka siguruar Gjilanin dhe Anamoravën se do ta kenë kujdesin e qeverisë së Kosovës për zhvillimin në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, në zbutjen e papunësisë, në zgjidhjen e problemit të varfërisë, në zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit, për të dalë faqebardhë gjatë dhe në fund të mandatit qeverisës.
Nga ana e tij, kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, ka falënderuar kryeministrin dhe kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa për vizitën, duke thënë se strukturat dhe anëtarësia e partisë ka pritur gjatë që në ambientet tona të vie kryeministri i LDK-së dhe kjo tashmë është realitet.
“E di që kohë të gjatë keni pritur që në zyret dhe ambientet tona të vie kryeministri i LDK-së. Sot, për dallim prej herave të tjera, lideri ynë e ka kapitalizuar këtë kërksesë. Muajt e fundit, cdo javë jemi takuar me të gjitha strukturat për ta përcjellë këtë angazhim. Dua të theksoj se prej dhjetorit të kaluar e deri në këtë dhjetor, Gjilani i ka dy fitore të mëdha: e para që e kemi rikthyer qeverisjen në Gjilan dhe e dyta, falë angazhimit, edhe qeverisjen e LDK-së në nivel qendror me kryeministër Isa Mustafën”, është shprehur kryetari Haziri.
Të gjitha strukturat e LDK-së në Gjilan rikonfirmojnë unitet në veprim dhe kërkojnë nga deputetët e saj, ministrat në qeveri të Kabinetit e përfaqësuesit legjitim, që të jenë unik në realizimin e programit qeverisës dhe në përfaqësimin e votës qytetare në Kuvendin e Republikës së Kosovës. /2L ONLINE/