Isa Agushi anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) njihet si kritikuesi i madh i kryetarit të komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Dikur bashkëpartiak, por tani në parti të ndryshme, kundërshtare, Agushi nuk e lë asnjë seancë pa drejtuar kritika në adresë të Hazirit të LDK-së, madje shpesh herë ka pas tensionime në KK-në e Gjilanit, por se “thumbat” kritikues kanë vazhduar të hedhen në të dyja anët, transmeton Portali 2LONLINE.com.
Edhe në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Gjilanit, te pika që kishte të bënte me Raportin e Punës së Kryetarit të Komunës për periudhën Janar-Qershor 2021, Isa Agushi e mori fjalën dhe fjalët e para nuk i pat për raportin në fjalë, por i ndërlidhi me kandidimin e Hazirit për kryetar komune në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 17 tetor.
Agushi tha se e “admiron” kryetarin Lutfi Hazirin, qysh ka guxue me marr guxim për me u kandidue edhe njëherë, por ka me dështue.
Madje, ai ia ka rikujtuar Hazirit, kohën kur si bashkëpartiak, në fushatë i kanë ngritur bashkë katër gishta, duke aluduar në katër prioritetet e proklamuara nga Haziri, por që ka dështuar në realizimin e atyre prioriteteve.
Agushi iu është drejtuar Hazirit duke i thënë se “Ke marr guxim për me u kandidue edhe njëherë për kryetar komune porse kësaj radhe nuk i ke ushtarët me vete dhe se do të dështosh”. /2LONLINE.com/