(2LONLINE) – Iniciativa Qytetare e Zhegrës (IQZH) iu është drejtuar me një shkresë drejtorit komunal të Arsimit në Gjilan, Nazmi Musës, duke kërkuar vazhdimin e procesit mësimor në klasat e dhjeta për paralelet e ndara të shkollës së mesme “Marin Barleti” në Zhegër.
Ruhan Kurteshi koordinator i IQZH-së ka thënë se siç dihet paralelet e ndara të Shkollës së Mesme të Lartë në Zhegër funksionojë që nga viti 1972. Në këto paralele mësimet i vijojnë mbi 230 nxënës nga Zhegra, Gjilani dhe fshatrat përrreth. Po ashtu mbi 320 nxënës nga Zhegra me rrethinë i vijojnë mësimet në shkolla të ndryshme në qytetin e Gjilanit. Në këto paralele mësimi zhvillohet me vështirësi sidomos pas zhvendosjes së nxënëseve të shkollës fillore “Agim Ramadani” në shkollën e re. Pasi që nga ajo kohë (shtator 2011) në paralelet e ndara në Zhegër nuk është investuar fare.
“Siç jemi të njoftuar në një takim të mbajtur nga Drejtoria e Arsimit në Gjilan është marr vendim për zvogëlimin e paraleleve për klasat e dhjeta, me këtë vendim shkollës së mesme “Marin Barleti” , gjegjësisht paraleles së ndara në Zhegër i zvogëlohet numri i paraleleve nga dy që janë aktualisht në një paralele.
Nxënësit, prindërit, profesorët dhe qytetaria aktive janë kategorik kundër zvogëlimit të kësaj paralele. Aq më tepër kur në një të ardhme të afërt pretendojmë të bëhemi komunë”, është thënë në shkresën e IQZH në adresë të drejtorit Nazmi Musa.
Koordinatori i IQZH-së Ruhan Kurteshi. thotë tutje se edhe këshilli i arsimtarëve të shkollës së mesme “Marin Barleti” në Gjilan, në mbledhjen e tyre më 9 maj 2014, kanë formuar komisionin për bisedime me Drejtorin e arsimit, kryetarin e komunës dhe Ministrin e arsimit me qëllim kundër zvogëlimit të paraleleve.
Kurteshi tha se kërkojnë nga drejtori i Arsimit në Gjilan që të revidoj vendimin e tij për zvogëlimin e paraleleve, të hapen paralele në drejtime të reja atraktive për nxënës, të përmirësohen kushtet e punës dhetë ndërtohet një shkollë e re. /2lonline/