Pas arrestimit të një zyrtari policor më 28 janar 2021 me dyshimin për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, në medie ishte publikuar edhe një video tjetër.
Bazuar në pamjet e kësaj videoje dyshohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në Prishtinë, thuhet në komunikatën e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).
Rasti ishte iniciuar në IPK dhe hetuesit në konsultim me prokurorin kujdestar janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore lidhur me këtë rast.
Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë identifikuar zyrtarët policorë të cilët ishin të përfshirë në këtë rast (punonjës në Drejtorinë Rajonale në Prishtinë) .
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka dhënë rekomandimin për suspendim të këtyre tre zyrtarëve policorë përderisa hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kompetent do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore ditëve në vijim për të sqaruar rrethanat e këtij rasti.