Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), respektivisht Departamenti i Inspektimit ka publikuar Raportin e Inspektimit lidhur me “Vlerësimin e performancës së Stacionit Policor të Klinës”.
Inspektimi është realizuar në bazë të Planit Vjetor të Inspektimeve të Rregullta (2023) dhe është përqendruar në Stacionin Policor të Klinës, në kuadër të Drejtorisë Rajonale Policore të Pejës.
Inspektimi ka qenë me interes për IPK-në, me qëllim që të vlerësohet nëse Stacioni është duke realizuar me sukses objektivat në përmbushje të mandatit ligjor. Gjithashtu, inspektimi ka ofruar mundësi për t’u njohur edhe me performancën e këtij Stacioni.
Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin drejtues dhe atë operativ – administrativ.
IPK në kuadër të Raportit të inspektimit ka dhënë dymbëdhjetë (12) rekomandime, që kanë të bëjnë me sistemimin dhe shpërndarjen e burimeve njerëzore, furnizimin me pajisje operative policore, përfshirjen e personelit në programe të ricertifikimit, vlerësimin e faktorëve që kanë ndikuar në ngritjen e numrit të të arrestuarve, kompletimin e “shënimeve zyrtare” (pro formave), respektimin e zinxhirit komandues gjatë procedimit të kallëzimeve penale në Prokurorinë e Shtetit, përdorimin e paketimeve adekuate të ruajtjes së dëshmive, përmirësimin e shërbimeve logjistike dhe kushteve të punës, etj. /2LONLINE/