Katër zyrtarë të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) janë duke marrë pjesë në konferencën e 20-të vjetore të EPAC-ut (European Partners Against Corruption – Partnerët Evropian Kundër Korrupsionit) dhe Asamblenë e Përgjithshme e cila po mbahet në Vilnius të Lituanisë.
Në këtë konferencë po marrin pjesë shumë delegacione të institucioneve të mbikëqyrjes policore dhe agjencive kundër korrupsionit nga shtete evropiane, si dhe përfaqësues nga EUROPOL-i dhe organizata tjera ndërkombëtare e rajonale.
Në kuadër punimeve në konferencë po diskutohen dhe trajtohen tema të rëndësishme që kanë të bëjnë me fuqizimin e luftës kundër korrupsionit si: korrupsioni dhe siguria nacionale, parandalimi i korrupsionit dhe fuqizimi i integritetit të zyrtarëve, bashkëpunimi rajonal në fushën e antikorrupsionit etj.
Në kuadër të agjendës së paraparë do të mbahen punëtori të ndryshme që në mes tjerash do të trajtojnë tema si integriteti në fushën e policisë, sfidat e agjencive mbikëqyrëse policore etj.
Përfaqësuesit e delegacionit të Kosovës në këtë konferencë po zhvillojnë takime të ndara me delegacione pjesëmarrëse nga shtetet e Evropës me qëllim të njohjes dhe shkëmbimit të praktikave të mira në forcimin e sundimit të ligjit. /2LONLINE.com/