Inspektorati Policor i Kosovës në bashkëpunim me ICITAP-in amerikan organizoi në Prizren konferencën rajonale tre ditore me temën “Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit në policinë kufitare”.
Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin zyrtarë të lartë nga institucionet homologe të mbikëqyrjes policore të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut si dhe zyrtarë të lartë nga Ministria e Punëve të Brendshme, Prokuroria e Shtetit, Policia e Kosovës etj.
Pjesëmarrës në këtë konferencë ishte edhe Ministri i Brendshëm z. Xhelal Sfeçla, Atasheja e ICITAP-it pranë Ambasadës Amerikane në Kosovë znj.Kimberly Riffe dhe ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit z. Besim Kelmendi të cilët përkrahën iniciativat e tilla të bashkëpunimit duke vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe ndër-institucional si mekanizëm i vlefshëm që garanton rritje të efikasitetit të shërbimeve ndaj qytetarëve.
Gjatë konferencës u diskutua për sfidat në luftimin e korrupsionit tek policia kufitare, praktikat e mira të parandalimit dhe luftimit të këtij fenomeni duke prezantuar edhe disa raste studimi të operacioneve të suksesshme përfshirë këtu edhe operacionin “Pika 1 dhe 2”të IPK-së dhe raste nga vendet e rajonit.
Ndër temat e trajtuara ishin edhe ato që ndërlidhen me fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve të kontrollit të brendshëm të vendeve të rajonit lidhur me përgjegjshmërinë dhe integritetin e policisë kufitare etj.
Në mbyllje të konferencës si konkluzione që u përkrahën nga të gjitha delegacionet e shteteve pjesëmarrëse ishin që të vazhdohet me iniciativa të tilla (takime të rregullta së paku një herë në vit nga organizatat mbikëqyrëse policore të vendeve të rajonit), organizimi i trajnimeve të përbashkëta në mes agjencive mbikëqyrëse policore nga vendet e rajonit, krijimi i platformave të përbashkëta të shkëmbimit të informatave etj. /2LONLINE/