Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar një zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” në bashkëkryerje.
Informacionet e para lidhur me këtë rast hetuesit e IPK-së i kanë pranuar ditë më herët nga Policia e Kosovës me dyshimin se zyrtari policor ishte i përfshirë në një rast të “vjedhjes së rëndë” në bashkëkryerje në një nga filialet për tranfsere parash në Mitrovicë më 26.11.2021.
I dyshuari i parë për këtë rast është arrestuar nga policia ditën që ka ndodhur rasti kurse si rezultat i hetimeve të zhvilluara janë identifikuar edhe dy të dyshuar për këtë rast (duke përfshirë këtu zyrtarin policor).
Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë kanë ndërmarrë disa veprime hetimore dhe pas këtyre veprimeve hetimore, zyrtarit policor (të dyshuar në këtë rast) me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 315 lidhur me nenin 31 (bashkëkryerje) i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar. /2LONLINE/