Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve kanë vazhduar të ndërmarrin veprime hetimore lidhur me informacionin (vide-incizim i një ngjarje të vitit 2018) në bazë të të cilit dyshohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor në Prishtinë.
Lidhur me këtë rast IPK kishte arrestuar një zyrtar policor më 28 .01 2021 me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”kurse i njëjti rast nga prokuroria është vendosur që të vazhdohet në procedurë të rregullt.
Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot këtë zyrtar policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “pengim i të provuarit” dhe të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Në kuadër të këtij hetimi, Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin edhe të dy punonjësve policorë (një rreshteri policor që në kohën e incidentit të vitit 2018 ishte mbikëqyrës i të dyshuarit dhe një zyrtar tjetër policor që dyshohet se ishte pjesëmarrës në keqtrajtim).
Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.