Këshilli i Veprimit Rinor Lokal (KVRL), përkrahur nga Njësia për Rini e Komunës së Gjilanit ka organizuar sonte shfaqjen e filmit IT, në Teatrin e Qytetit, për mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta, e për të cilin film pati interesim tejet të madh të të rinjve.
Paratë e mbledhura nga shitja e biletave i dedikohen Qendrës për Kujdesin Ditor të Fëmijëve me aftësi të kufizuara “PEMA”.
Ky organizim është mbështetje për fëmijët e kësaj qendre dhe për institucionin që përkujdeset në baza ditore për këta fëmijë dhe për edukimin, socializim dhe integrimin e tyre.
Përndryshe, KVRL-ja ka falënderuar kryetarin e komunës për mbështetje direkte dhe nëpërmjet Njësisë për Rini, ndërsa për shkak të interesimit të madh, u premtua se filmi në fjalë do të shfaqet sërish.
“Falënderojmë përzemërsisht të gjithë të rinjtë dhe të rejat për mbështetjen e madhe për fëmijët me nevoja të veçanta si dhe vullnetarët rinor të KVRL-së, të cilët ishin promotorët e këtij organizimi”, ka thënë Diellza Selishta, kryetare e KVRL-së.
Pas shfaqjes së filmit u organizua edhe mbrëmje për të rinjtë e shoqëruar me këngë e muzikë.