(2LONLINE) – Nënkryetari i Komunës së Kamenicës Fatmir Matoshi ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Bashkësisë Islame, Ef.Eshref Cakolli, kryetar dhe Milaim Behluli sekretar i BI në Kamenicë.
Në takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në mes të komunës dhe Bashkësisë Islame në realizimin e projekteve te përbashkëta. Ndër temat e diskutuara në takim ishte mundësia e futjes në buxhetin komunal të heqjes së shpenzimit të varrimeve nga ana e komunës që do të nënkuptoj që komuna të paguaj për të gjitha shpenzimet e varrimit për qytetarët e Kamenicës.
“E dimë se shumica e komunave në Kosovë e kanë aprovuar një rregullore të tillë dhe edhe ne jemi të përkushtuar që këtë qështje ta shtyjmë përpara dhe në ndonjërën nga seancat e ardhshme të marrim vendim në Kuvendin Komunal. Po ashtu po i shohim mundësitë që të realizojmë një projekt për mirëmbajtjen e varrezave në teritorin e Kamenicës dhe këtë çështje e kemi diskutuar dhe është edhe në prioritetet e kryetarit të komunës” tha nënkryetari Matoshi.
Ef. Eshref Cakolli ka thënë se BI do të ishte shumë mirënjohëse në rast të rregullimit të kësaj qështje ndërsa ka informuar edhe për aktivitetet e fundit të Bashkësisë Islame.
“Kemi premtime shumë serioze për ndërtimin e objektit të Bashkësisë Islame dhe ndërtimin e Xhamisë në Strezoc. Kam kërkuar projekte nga të gjithë Imamët e Kamenicës të cilat do t`i dërgojmë në BI në Prishtinë. Xhamia në Berivojcë është në ndërtim e sipër dhe punët në këtë object po shkojnë sipas planit” ka thënë Ef. Eshref Cakolli.
Në një takim të shkurtër udhëheqësit e Bashkësisë Islame uruan për detyrën e re edhe kryetarin e Komunës Begzad Sinani me të cilin poashtu u dakorduan për bashkëpunimin e mëtejmë. /2lonline/