Integrimi i serbëve në Policinë e Kosovës e veçanërisht pjesëtarëve të MUP-it është proces i rrezikshëm, por që Kosova duhet të mësoj ta menaxhoj. Kështu vlerësuan tre anëtaret e Komisionit parlamentarë për Siguri Punë të Brendshme dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Ahmet Isufi, Anton Çuni dhe Rexhep Selimi. Sipas tyre, të gjithë ata që do të aplikojnë në Policinë e Kosovës duhet që të verifikohet edhe e kaluara e tyre.
Anëtarët e Komisionit Parlamentar për Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, thanë se serbet të cilët pranojnë ligjet dhe kushtetutën e vendit, duhet të verifikohen para se të bëhen pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Ahmet Isufi, Kryetar i Komisionit u shpreh se procesi i verifikimit duhet të bëhet nga organet e sigurisë vendore dhe mekanizmave ndërkombëtarë, transmeton RTK.
Depueteti, Anton Çuni u shpreh se ky proces është një rrezik i përhershëm por që Kosova duhet të mësoj të menaxhoj.
Ndërkaq, Rexhep Selimi tha se ende po vazhdon që marrëveshjet e tilla të jenë jo transparente as për institucionet e vendit e as për qytetarët e vendit. Selimi theksoi se kjo marrëveshje ka reflektim shumë të ndjeshëm.
Ndryshe në takimin e djeshëm në Bruksel Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiq, janë pajtuar për procesin e integrimit të serbëve në Policinë e Kosovës.