Kosova është ende një mjedis tradicional ku femra nuk vlerësohet në bazë të aftësive që ajo ka, por ajo më tepër trajtohet si një objekt. Nuk respektohet subjektiviteti i saj.
Shkruan: Teuta Selishta
Në nivelet vendimmarrëse femrat janë të përjashtuara apo përfaqësuara vetëm simbolikisht. Shoqëria në Kosovë ende nuk është mësuar me gruan në vendimmarrje.Vetëm një ministre në qeverinë aktuale në nivelin qëndrorë, dhe vetëm dy drejtoresha në nivelin lokal në Gjilan, i ngjajnë më shumë odave të burrave, se sa institucioneve demokratike të një shteti evropian.
Në Kosovë, roli i gruas në proceset e zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe politik është shumë i rëndësishëm, por në vendin tonë po vazhdohet me pabarazi gjinore. Pozita e pabarabartë ndikohet nga shkalla e ulët e punësimit të grave, vështirësitë në shërbimet shëndetësore, shkalla e ulët e integrimit në ekonomi, si dhe numri i vogël i grave në poste drejtuese në administratën publike.Gratë deputete në parlament, si përfaqësuese të gjysmës së popullsisë, nuk është dashur t’i nënshtrohen përqindjes së përcaktuar me ligj, por ato është dashur të kërkojnë që të trajtohen njësoj si burrat, në bazë të vlerave dhe të aftësive të tyre.
Arsimimi dhe punësimi paraqesin bazën e lirisë së gruas prandaj, gratë duhet të vlerësohen në bazë të aftësive të tyre. Nuk mund të kuptohet një shtet mirëfilltë demokratik nëse nuk realizohen të drejtat e gruas. Deri kur do të vazhdojmë me tradicionalen mbetet të shihet, por qasja duhet ndryshuar, ndryshe nuk do të ketë progres pozitiv në këtë vend.