(2L ONLINE) – Institucionet e shtetit janë zotuar të martën në Gjilan se nuk do të lejojnë manipulim të procesit zgjedhor më 8 qershor. Përfaqësuesit e këtyre institucioneve i rikujtuan të gjithë ata që mendojnë të cenojnë vullnetin e lirë të qytetarëve, në çfarëdo mënyrë, se dënimet janë shumë të rrepta dhe fillojnë prej 6 muajve burg dhe shkojnë deri në 5 vjet.
Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për drejtësi, tha se në të kaluarën, vota është vjedhur dhe manipuluar, por tani institucionet e drejtësisë janë të vendosura për të mbrojtur votën e lirë dhe për zgjedhjet parlamentare 2014, këto institucione kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi si dhe kanë krijuar procedura standarde për të vepruar para, gjatë dhe pas ditës së votimit, lidhur me veprat penale kundër të drejtave të votimit.
Laura Pula, koordinatore nacionale për zgjedhje nga Prokuroria e Shtetit, tha se në zgjedhjet lokale kemi pasur një befasi të mirë sa i përket mbarëvajtje së procesit dhe u shpreh e bindur se kështu do të jetë edhe në zgjedhjet nacionale, më 8 qershor.
Ajo rikujtoi se në zgjedhjet 2010 ka ndodhur një vjedhje e madhe e votuar dhe kjo dëshmohet me fatin se është dashur të ngrihen akuzua ndaj më shumë se 1600 personave.
Pula tha se institucionet e shtetit janë të vendosura për të parandaluar dhe ndëshkuar të gjithë ata që bien ndesh me ligjin dhe cenojnë të drejtën e votës së lirë, më 8 qershor. Ne i kemi përcaktuar detyrat tona se si duhet të reagojmë prej fillimit të votimit e deri në momentin e numërimit të votës së fundit, ndërkohë që kërkoi edhe nga shoqëria civile dhe qytetarët bashkëpunim në mbrojtje të procesit.
Jetish Maloku, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Gjilan, tha se zgjedhjet janë një test demokratik për shoqërinë kosovare. “Ne do të bëjmë të mundshme që të sigurojmë ambientin e duhur që vullnet të mos cenohet në asnjë mënyrë”, ka thënë Maloku. Në mënyrë kategorike, ai tha se do të godasim të gjithë ata që tentojnë të njollosin këtë proces të rëndësishëm demokratik.
Naim Rexha, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, foli për detyrat e policisë në këtë proces, duke nënvizuar se kanë kapacitete të mjaftueshme për të garantuar mbarëvajtjen e votimit.
Ndërkaq, Zyhdi Haziri, kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan, tha se shpreson që qytetarët tashmë janë vetëdijesuar dhe nuk do të provojnë të manipulojnë procesin zgjedhor. Ndryshe, ligji parasheh dënime të rrepta për ata që cenojnë votimin e lirë, ka thënë ai.
Haziri tha se tani, për dallim nga e kaluara, nuk ka më gjobë në të holla për këto raste dhe premtoi se të gjitha lëndët, nëse do të ketë, do të shqyrtohen me prioritet në Departamentin e Krimeve të Rënda.
Rregullsi në proces kanë kërkuar edhe disa prej kandidatëve për deputetë nga komuna e Gjilanit, të cilët kanë marrë pjesë në këtë debat për zgjedhjet nacionale 2014. /2lonline/