Inspektorët e Inspektoratit të Tregut të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, me urdhër të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, kanë dalë në terren për të parë nga afër zbatimin e Vendimit nr.01/42, të datës 11.11.2020, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, (pika 20) për masat e përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19 për mbarëvajtjen e aktivitetit të bizneseve sipas rregullave të përcaktuara në bazë të këtij vendimi.
Gjatë inspektimeve, inspektorët e tregut i njoftuan afaristët se duhet respektuar në përpikëri masat e reja, sipas vendimit të qeverisë, për të parandaluar përhapjen e pandemisë, që ka për qëllim primar mbrojtjen e shëndeti publik.
Sipas kryeinspektorit të tregut, Lulzim Syla, aksioni i inspektimeve do të vazhdojë deri në orët e vona të së premtes dhe do të vazhdojë edhe ditëve e netëve tjera për t’iu bërë me dije bizneseve se inspektorët do të jenë të pranishëm në çdo kohë për të parë se sa po zbatohen masat nga bizneset.