/2L ONLINE/ – Duke u bazuar në rrethanat e krijuara, zhvillimet e fundit në AKR, qasjen e kreut të partisë ndaj marrëveshjes për “Forumin zhvillimor në Anamoravë”, që ka qenë bazë e bashkëpunimit tonë me këtë subjekt, anarkinë e krijuar në një proces zgjedhor jashtëstatutar, si dhe tendencën për të vazhduar ecjen në kundërshtim me programin e partisë, kemi vlerësuar se vazhdimi i mëtejmë i qëndrimit nën një ombrellë me AKR e pamundëson angazhimin tonë në interes të qytetarëve të Gjilanit.
Kështu thonë në një reagim të tyre drejtues të Iniciativës Qytetare “Për Gjilanin”, e kreu i saj, Agim Rexhepi tha se dëshiron ta sqaroi opinionin, t’ua bëjë me dije, se bazë e bashkëpunimit me këtë subjekt ka qenë marrëveshja për formimin e “Forumit Zhvillimor për Anamoravë” , ide që iu përgjigjën shumica e bizneseve, mirëpo përveç një takimi fillestar gjërat mbetën në nivel retorike për zhvillim ekonomik.
“Përkundër një pritjeje për ndryshim me rastin e zgjedhjeve të brendshme, ndodhi më e papritura. Këshilli drejtues i AKR suspendon organet – Statutin e partisë dhe gërshërët ia dorëzon një grupi të njerëzve, dhe kjo bëri që nga AKR të ikin kuadro që për vite kanë qenë bartës të angazhimeve dhe promovues të denjë të programit të AKR”, ka thënë Rexhepi.
Sipas tij, mosfunksionimi i organeve partiake, ka sjellë deri në një gjendje ku idetë e reja, mundësitë e reja të varen nga disponimi i ndonjë zyrtari partiak i terasës së SWISS-it.
“Angazhimet – prononcimet lidhur me keqqeverisjen e vendit janë joparimore dhe jobindëse për elektoratin, kur shihet se AKR nuk ka qëndrim të qartë lidhur me pjesëmarrjen në qeverisjet komunale, dhe kjo nga qytetari shihet si tendencë e kamufluar për pushtet. Aktivitetet në teren për promovimin e programit të AKR si program për zhvillim ekonomik, nuk bëhet nga ekspertë, por nga aktivistë të partisë që e degradojnë qëllimin dhe krijojnë perceptimin publik të gabuar, duke e zhvendosur programin e partisë në teren humanitar”, ka thënë tutje Rexhepi nga Iniciativa Qytetare “Për Gjilanin”.
Sipas tij, këto ishin arsye që Iniciativa vlerëson se vazhdimi i mëtejmë me AKR ishte i pamundur dhe tani si iniciativë qytetare do të merren me politikat lokale që janë me interes për qytetarët e Gjilanit /2L ONLINE/