Komisioni i ankesave të Këshillit të Mediave ka shqiptuar dënim publik të përditshmes beogradase “Informer” për shkeljen e Kodit të Gazetarëve të Serbisë me përdorimin e fjalës “shiptar”. Bazuar në ankesën e Nismës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), Komisioni arriti në përfundimin se “Informer” ka shkelur Kodin në lidhje me përgjegjësinë e gazetarëve dhe vëmendjen gazetareske.
Në artikullin e botuar në “Informer” më 18 shkurt 2015, ka përdorur në mënyrë të përsëritur një term nënçmues për të treguar shqiptarët që, sipas gazetës, në Austri sulmuan një serb etnik dhe e rrahën atë, si pasojë e së cilës ai vdiq pas disa ditësh, shkruan Titulli.
Në ankesën e saj Nisma ka theksuar se përdorimi i fjalës “shiptar” në gjuhën serbe arsyetohet si e pabazë me mënyrën se si e njëjta fjalë përdoret në gjuhën shqipe.
Fjala “shiptar” në media dhe opinion në Serbi përdoret në kontekst negativ dhe ofendues për ndryshim nga fjala “shqiptar”. Përveç kësaj, fjalët “Shqiptar” në shqip dhe “shiptar” në gjuhën serbe nuk kanë të njëjtin kuptim, dhe kanë shqiptim ndryshe dhe akcentim.
Komisioni në arsyetimin ka përsëritur këtë qëndrim të Nismës , duke shtuar se “Informer” me sa duket ka përdorur termin nënçmues me qëllim që të fyejë shqiptarët, por gjithashtu vuri në dukje se Kodeksi parashikon se në raportet e akteve kriminale, kombësia e të dyshuarve dhe viktimave përmenden vetëm kur ato janë të lidhura direkt me llojin dhe natyrën e krimeve të kryera e që në këtë rast nuk kishte prova se akti ishte i krimeve me motive etnike.
Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut e mirëpret këtë veprim të Komisionit për ankesa dhe apelon ndaj gazetarëve që t’i përmbahen Kodeksit, dhe se do ti kundërvihen të gjithë atyre që shkelin të drejtat e njeriut apo atyre që bëjnë çdo lloj diskriminimi, gjuhën e urrejtjes dhe nxitjen e dhunës.
Gjithashtu Nisma, i tërheqë vëmendjen gazetarëve për faktin se, sipas Kodeksit, duhet të jenë të vetëdijshëm për rrezikun nga mundësia e përhapjes së diskriminimit nga mediat dhe se duhet të bëjnë gjithçka për të shmangur diskriminimin në bazë të racës, gjinisë, moshës, orientimit seksual, gjuhës, fesë, politikës dhe orientimeve të tjera kombëtare ose shoqërore.