INDEP prezanton komentet në lidhje me raportin konsultativ të ZRRE-së. “Propozojmë strukturë tarifore me 3 blloqe dhe çmime më të zbutura të energjisë elektrike” .
Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka mbajtur sot, 27 Janar 2022, me fillim nga ora 14:00h konferencë për medië me qëllim prezantimin e komenteve që INDEP ka dërguar në raportin konsultativ të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Analiza e INDEP do të dërgohet si pjesë e komenteve në diskutimin publik të organizuar nga ana e Zyrës së Rregullatorit për Energji. Ajo është e ndarë në tre pjesë kryesore. Në pjesën e parë ne kemi trajtuar strukturën tarifore me blloqe ku kemi shpjeguar pozicionin konsistent të INDEP-it mbi nevojën për vendosjen e bllok tarifave. Në pjesën e dytë kemi trajtuar propozimin e ZRRE-së ndërsa në pjesën e fundit kemi paraqitur modelin e propozuar nga INDEP. Në fund kemi paraqitur rekomandimet kryesore për ZRRE në bashkë me të dyja modelet të paraqitura në formë tabelare për të theksuar dallimet mes tyre.
Modeli i propozuar nga INDEP
INDEP duke pasur në rend të parë barazinë e secilit shfrytëzues të energjisë elektrike në Kosovë, duke ditur gjendjen e jashtëzakonshme me furnizim të energjisë dhe vështirësitë e shkaktuara nga pandemia COVID-19, propozon që çmimi i energjisë elektrike të rritet me një përqindje më të ulët se sa që ka propozuar ZRRE. Gjithashtu, INDEP përkrahë strukturën tarifore me blloqe, por propozon që kategorizimi të jetë në tre blloqe. Duke shtyrë përpara uljen e konsumit dhe rritjen e masave efiçiente, INDEP propozon masat si në vijim:
∙ Tarifat e shërbimit të energjisë elektrike të rriten për 5.5% për të gjithë konsumatorët, përfshirë konsumatorët komercial.
∙ Të rikthehet struktura tarifore me blloqe për konsumatorët e amvisërisë, ku ndarja do të bëhet në tre nivele të konsumit të energjisë elektrike, deri në 600 kWh në muaj, nga 600 deri në 1,200 kWh në muaj dhe mbi 1,200 kWh në muaj.
∙ Për nivelin e konsumit deri në 600 kWh në muaj energji elektrike, të aplikohen tarifat prej 0.0712 €/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.0304 €/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët, apo 5.5% më të larta se tarifat aktuale.
∙ Për konsumatorët që tejkalojnë nivelin e konsumit prej 600 kWh në muaj, të aplikohen tarifat prej 0.121 €/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.051 €/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët, apo 70% më të larta se tarifat e bllokut të parë.
∙ Për konsumatorët që tejkalojnë nivelin e konsumit prej 1,200 kWh në muaj, të aplikohen tarifat prej 0.217 €/kWh për energjinë e konsumuar në kohën e tarifës së lartë dhe 0.091 €/kWh për energjinë e konsumuar në tarifën e ulët, apo 80% më të larta se tarifat e bllokut të dytë.
INDEP duke llogaritur gjendjen aktuale, investimet në burime të ripërtëritshme, investimet në rrjetin ekzistues, sigurinë e furnizimit, zvogëlimin e importit e shumë të tjera përkrahë rritjen e çmimeve të tarifave të energjisë elektrike, por jo me përqindjen e propozuar nga ZRRE. Tarifat e rritura e të propozuara nga ZRRE-ja janë diskriminuese dhe të papërballueshme për konsumatorët. Andaj duke pasur në rend të parë mbrojtjen e konsumatorit dhe barazinë e gjithsecilit, INDEP propozon tarifa me rritje por me përqindje më të zbutur krahasuar me ZRRE-në.
INDEP përkrahë idenë që për sa kohë çmimet të jenë të rregulluara, të rivendoset blllok-tarifa. Për rrjedhojë, në parim përkrahim propozimin e ZRRE-së për rikthim të blloqeve tarifore bazuar në shpenzimin bashkë me arsyetimet e dhëna që janë në konsistencë të plotë me paralajmërimet e INDEP që në vitin 2017. INDEP kishte paralajmëruar që largimi i kësaj strukture tarifore do të paraqiste rrezik në furnizimin me energji elektrike, e një gjë e tillë po reflektohet sot, pesë vite më vonë. Rikthimi i strukturës tarifore me blloqe ndihmon kontrollimin e konsumit, zvogëlon nevojën për import të energjisë elektrike dhe vë në pah parimin se energjia është nevojë e gjithsecilit por në të njejtën kohë shpenzimi në nivele të larta të saj paraqet problematikë në aspketin e plotësimit të kërkesës së përgjithshme.
Propozimi i tarifave të energjisë elektrike nga INDEP
Propozimi i INDEP është më i balancuar dhe ndonëse synon efiçiencën për të gjitha grupet e konsumit, sigurohet gjithashtu që rritja të jetë dukshëm më e përballueshme për konsumin deri në 1,200 kWh. Gjithashtu, subvencionimi nga ana e Qeverisë duhet të përfshijë të gjitha kategoritë e konsumit dhe nuk duhet të jetë ekskluziv vetëm për konsumin deri në 600 kWh. Modeli i propozuar nga INDEP është gjithëpërfshirës dhe i barabartë. Mëton që duke përqafuar modelin e bllok tarifave, të synohet efiçienca në të gjitha grupet e konsumit.
Ne propozojmë tre shkallë të tarifave: deri në 600 kWh, nga 600 deri në 1,200 kWh dhe nivelin mbi 1,200 kWh të shpenzuara. Në mbrojtje të konsumatorëve me të hyra të mesme, ne konsiderojmë që dallimi prej 211% rritje për kategorinë mbi 600 kWh është jashtëzakonisht i lartë. Niveli i konsumit nga 600 deri në 1,200 kWh i përgjigjet familjeve të cilat nuk kanë alternativa të tjera të ngrohjes. Niveli i rritjes që ne kemi
propozuar, është i barazvlefshëm me koston mesatare që një familje shpenzon për ngrohje nga ngrohtorja e qytetit apo ngrohje me dru dhe alternativa të tjera. Dallimi në çmim që ne kemi propozuar është për 70% dhe ndonëse është më i vogël sesa mbi 200% sa ZRRE ka propozuar, prapë se prapë inkurajon efiçiencën. Për nivelin e konsumit mbi 1,200 kWh ne kemi propozuar një rritje prej 80% nga çmimi i kategorisë deri në 1,200 kWh. Pra, tarifat e ditës për të tre kategoritë do të jenë: 7,12 cent kWh për kategorinë deri në 600 kWh, 12.1 cent kWh për kategorinë nga 600 deri 1,200 kWh dhe 21.79 cent kWh për kategorinë mbi 1,200 kWh. Për dallim nga ZRRE, për INDEP, çmimi prej 21 cent për kilovat është i arsyeshëm vetëm për sasinë e konsumit mbi 1,200 kWh dhe jo për çdo kilovat mbi 600.
Analiza e plotë gjendet këtu: https://indep.info/inc/uploads/2022/01/INDEP_Komente-ne Propozimin-e-ZRRE-se-per-tarifa-te-reja-te-energjise.pdf
Kjo analizë është pjesë e programit të INDEP për zhvillim të qëndrueshëm dhe përpjekjeve të institutit që të kontribuoj në promovimin e rritjes së qëndrueshme dhe politikave që ndihmojnë tranzicionin energjetik dhe socio-ekonomik. /2LONLINE/