Gjilan – (2LONLINE) – Në Stanishor të Novobërdës, me pranin edhe të përfaqësuesve të komunave Novobërdë e Gjilan, përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe të ftuarve të tjerë, është bërë inaugurimi i projektit në vlerë prej afër gjysmë milion eurosh në Fabrikën e Përpunimit të Mishit “Luli Company”, ndihmuar nga granti i Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë. Fal këtij projekti që është implementuar përgjatë 18 muajve dhe ku sot edhe solemnisht është prerë shiriti, janë rritur kapacitetet përpunuese të kësaj Fabrike deri në 200 për qind ndërkohë që janë krijuar edhe vende të reja pune.
Afrim Hasani, pronar i kësaj Fabrike i ka thënë Portalit 2Lonline se ndihet i lumtur që sot po inaugurohet ky investim i përbashkët me Zyrën e Komisionit Evropian e cila ka mbështetur këtë projekt me afër 360 mijë euro derisa pjesa tjetër, mbi 120 mijë euro është mbuluar nga Fabrika.
Sipas tij, e mira e kësaj është se janë shtuar kapacitetet e përpunimit të të gjitha llojeve të mishit, edhe atë me standarde evropiane, pasi është ndihmuar ngritja e pjesëve tjera të Fabrikës dhe një linjë e re komplet me makineri. Po ashtu janë krijuar edhe vende të reja të punës duke u punësuar 25 punëtorë të rinj dhe është arritur edhe marrëveshja me fermerë.
Ndryshe, në këtë inaugurim morën pjesë edhe përfaqësues të komunës së Gjilanit, prirë nga nënkryetari Rexhep Kadriu, drejtori për Zhvillim Ekonomik, Ismail Januzi, shefi i kabinetit të kryetari Arbër Ismajli e të tjerë.
Me këtë rast, nënkryetari i komunës së Gjilanit Rexhep Kadriu tha për Portalin 2Lonline se vlerëson jashtëzakonisht shumë ndihmën e Komisionit Evropian për shtim të kapaciteteve të Fabrikës së Përpunimit të Mishit “Luli Company”, është ky investim i përbashkët i pronarit dhe Komisionit Evropian e që rrit lartë kualitetin e prodhimeve dhe ka gjeneruar edhe vende të reja pune.
Kadriu tha se edhe Komuna e Gjilanit inkurajon biznesin vendor lokal që të bashkuar të bëhet përpjekje për investime në prodhim dhe se institucionet komunale kanë shtuar në këtë drejtim kontaktet me institucionet financuese nëpër Evropë, për të thithur investime të reja në Gjilan.
Në implementimin e këtij projekti në Fabrikën e Përpunimit të Mishit “Luli Company”, ka ndihmuar edhe T-Consulting.
Përndryshe, pronari Afrim Hasani tha se produktet e kësaj Fabrike janë kudo në treg dhe se pëlqehen shumë. /2lonline/