Në fshatin Malishevë të Komunës së Gjilanit, sot është mbajtur manifestimi përkujtimor për dëshmorët, të rënët dhe viktimat e këtij fshati të cilët, sipas folësve, ranë si pasojë e një terrori të paparë që ka ushtruar policia, ushtria dhe paramilitarët serb në Kosovë.
Në fjalën e tij, nënkryetari Arbër Ismajli, ka thënë se vrasjet, masakrat dhe spastrimi etnik në Kosovë 20 vjet më parë ishin një terror i paparë, drejtuar shqiptarëve të cilët ishin dhe mbeten autokton në Evropën juglindore.
“Zbulimi i shtatoreve, përmendoreve, busteve e pllakave përkujtimore në Gjilan dhe rrethinë, na kthen në një periudhë kohore e cila përcillej atëherë me terrorin e paparë, i shkaktuar nga regjimi, i cili, me shekuj nuk ka dashur që në këtë vend të jetojnë shqiptarët si popull. Nga vendlindja e heroit dhe dëshmiorit Abdullah Tahiri dhe e shumë dëshmorëve të rënë në luftën për liri, garantojmë se asnjëherë institucionet e Komunës së Gjilanit, me kryetarin Lutfi Haziri, nuk do të ndalen së nderuari deri në përkulje veprën e tyre deri në sakrificë që ne të jetojmë të lirë në tokën autoktone shqiptare të Europës Juglindore”, ka thënë nënkryetari Ismajli.
Këto pllaka e shtatore të përuruara dhe këto përkujtime që bëhen, janë për të gjithë fëmijët e Gjilanit dhe Kosovës që ta gëzojnë lirinë dhe pavarësinë e vendit, duke kujtuar gjakune e derdhur që është themeli i fuqisë së pashtershme të Kosovës.
“Derisa në këtë vend dhe në këtë tokë, ka gjak të këtyre njerëzve që dhanë jetën për liri, kurrë ky vend nuk do të zhbëhet, pavarësisht dëshirave dhe planeve të personave të caktuar, qofshin ata të jashtëm apo të brendshëm”, përfundoi ai.
Ndërsa, deputetja e Parlamentit të Kosovës, Lirije Kajtazi, ka ndarë me të pranishmit përvojat që kishte gjatë viteve të ’90-ta, në kohën e organizimeve të ilegales e deri te çlirimi ivendit.
“Kujtimi i të kaluarës së vështirë, i përkujtimit të të rënëve për liri, janë shumë të tmerrshme, por edhe të lavdishme njëkohësisht. Së bashku me Abdullah Tahirin në atë kohë kemi shfrytëzuar xhamitë për mobilizim dhe zhvillim të lirë të aktiviteteve dhe përgatitjen e të rinjve se si të përdoren armët kundër okupatorit serb. Falënderoj familjet e fshatit Pozheran, që kanë bërë maksimumin e tyre për të na strehuar dhe mbajtur me ushqim në kohët më të vështira të largimit nga fshati ynë”, ka thënë mes tjerash ajo, derisa ka kërkuar punë dhe angazhim më të madh që amaneti i të rënëve për liri të shkoj në vend.
Naim Aliu, në emër të Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjilanit dhe Rashit Sahiti në emër të Këshillit të fshatit, kanë potencuar se ky fshat dhe të gjitha fshatrat e Gjilanit përjetuan shumë dhimbje, tortura e plaqkitje që u shkaktuan nga një okupues i egër kundër shqiptarëve në Kosovë me qëllim të eliminimit të shqiptarëve dhe të ekzistencës së Kosovës në atë kohë.
Përndryshe, në Malishevë sot janë bërë homazhe në qendër të fshatit te lapidari i dëshmorit Abdulla Tahiri, në varrezat e të rënëve për liri dhe është bërë inaugurimi i pllakës përkujtimore të viktimave të luftës dhe ekzodit të fshatit Malishevë.