Komunat e veriut kanë paralajmëruar ceremoni inauguruese “neutrale ndaj statusit”, pasi Bashkimi Evropian i kërkoi Serbisë respektim të marrëveshjes. Në këtë frymë, kryetari i zgjedhur i Mitrovicës së veriut Kërstimir Pantiq, ka thënë se do të organizohet të martën edhe ceremonia inauguruese e Kuvendit të kësaj komune. Ministria e Pushtetit Lokal ka thënë se nuk do të toleroj shkeljet e ligjit dhe rendit kushtetues. Inaugurimet do të përcillen edhe nga zyrtarë të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Kërstimir Pantiq, përfaqësues i Listës së Serbisë, fitues i zgjedhjeve për komunën e re të Mitrovicë së Veriut nuk po resht së deklaruari që ceremonia inauguruese do të jetë neutrale ndaj statusit të Kosovës. Por, ministri pa portofol për Kosovën i Serbisë Aleksandër Vulin ka thënë se u është bërë me dije të zgjedhurve në veri se marrëveshja e arritur në Bruksel duhet respektuar.
Në anën tjetër burime brenda ekipit negociator të Kosovës i kanë thënë Radio Kosovës se letra që zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, ka dërguar në adresë të Cathrine Ashton ka nxjerr përgjigjen e qartë të Brukselit se marrëveshja duhet respektuar. Për më tepër ceremonitë inauguruese do të përcillen për së afërmi edhe nga zyrtarë të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Përfaqësuesja e Lartë të Bashkimit Evropian gjithashtu thuhet se ka kërkuar që të mos ketë vonesa rreth pajtimit për Bashkësinë e komunave serbe në veri, ndonëse palët janë akoma larg përafrimit të qëndrimeve.
Javën e kaluar përfaqësuesit e komunave veriore kanë tentuar të bëjnë inaugurimin e kuvendeve komunale duke iu referuar rezolutës 12 44, duke përdorur logo me stemën e flamurit serb dhe duke përdorur emërtime që bien ndesh me rregullimin kushtetues të vendit. Kjo kishte bërë që autoritet e Prishtinës t’i drejtohen ndërmjetësuesit të bisedimeve në Bruksel, ndërsa zyrtarët e Bashkimit Evropian i kanë kërkuar Serbisë t’i përmbahet kushteve të marrëveshjes.