Ujërat e zeza janë problem global dhe trajtimi i tyre është i rëndësisë kyçe për secilën qeveri qëndrore e lokale.
Komuna e Gjilanit me Lutfi Hazirin në krye, në bashkëpunim me BERZH, Bankën Europiane për Investime dhe Kornizën investive të Ballkanit perëndimor WBIF, ka bërë projektin për ndërtimin e Impiantit për trajtimin e ujërave të zeza dhe infrastrukturën përcjelljëse.
Kolektorët e rinj me gjatësi prej 35.5km, do ta përfshijnë pjesën urbane të qytetit, Veleknicën, Malishevën, Uglarin, Pogragjën, Cernicën e Zhegrën me Grykën e Karadakut, duke e zgjidhur përfundimisht një çështje e cila na ka munduar gjatë, e të cilën fatkeqësisht Kuvendi i Kosovës e ka zvarritur për një vit të tërë.
Lumenjtë Mirusha, Stanishorka dhe Baja do të pastrohen plotësisht dhe kësisoji Gjilani do ta ketë edhe ajrin, edhe ujin shumë më të pastër se ç’e ka.
Komuna i ka përfunduar absolutisht të gjitha procedurat për elaboratin e shpronësimit dhe i ka dorëzuar në Ministrinë e Financave.
Ajo që dukej e pamundur, është në prag të realizimit. Në bashkëpunim me kompaninë gjermane GOPA, jemi në finalizim të projektit zbatues dhe përgatitjes së dokumentacionit për shpalljen e tenderit për kontraktim të punëve.
Ekzekutimi i punimeve do të fillojë në mars 2022 dhe në fund të po të njëjtit vit, eventualisht në fillim të 2023, Gjilani do ta ketë impiantin modern për pastrimin e ujërave të zeza së bashku me krejt infrastrukturën përcjellëse.
Perspektiva për zhvillim ekonomik hapet jashtëzakonisht shumë ngaqë problemit të ndotjes së ujërave i jepet zgjidhje përfundimtare dhe Gjilani bëhet tërheqës për investime.
Përveç kësaj, me këtë hapësirë prej mbi 6 hektarësh impiant, Gjilanit i mundësohet ujë e ajër më i pastër, jetë më e shëndetshme për njerëzit e vet dhe investime që ekonomisë së vendit do t’i shërbejnë si infuzion i jashtëzakonshëm.
Zyra për Marrëdhënie me Publikun e LDK-së, Dega në Gjilan