(2L ONLINE) – Në komunën e Gjilanit nuk po respektohet gjuha turke, ndonëse është gjuhe zyrtare në këtë komunë, është shprehur Renan Imami, këshilltar komunal nga komuniteti turk, në Kuvendin Komunal të Gjilanit.
Imami i cii i takon subjektit politik, Partia Demokratike Turke e Kosovës, KDTP, i ka thënë Portalit 2L ONLINE, se KDTP, por edhe komuniteti turk në përgjithësi që jeton në Komunën e Gjilanit, është i shqetësuar për mos respektimin e gjuhës amtare të tyre, edhe pse është e garantuar edhe me Kushtetutën e vendit.
Imami kërkon nga organet kompetente, si në nivelin lokal ashtu edhe në nivelin qendror, që të marrin masa menjëherë dhe t’i mundësohet qytetarëve të këtij komuniteti marrja e të gjitha dokumenteve, si te gjendjes civile ashtu edhe dokumentacione te tjera, në gjuhën turke.
Përndryshe, Imami ka rikujtuar se qysh në vitin 2007 kuvendarët e Kuvendit komunal të Gjilanit kishin votuar vendimin që gjuha turke ne komunën e Gjilanit të jetë gjuhë zyrtare.
“Komuniteti turk shpreson që në periudhën më të afërt, të aprovohet kërkesa e tyre, do të thotë të respektohet e drejta e tyre kushtetuese”, ka thënë në fund Renan Imami, këshilltar komunal nga radhët e komunitetit turk në Asamblenë e Gjilanit. /2L ONLINE/