Njëri në verë e tjetri në pikun e krizës së koronavirusit. Marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë rrëzoi dy kryeministra në një hark kohor prej 8 muajsh. Sado që rrethanat e rënies se Ramush Haradinajt në korrik 2019 dhe Albin Kurtit në mars 2020 janë të ndryshme, në esencë ekziston një burim, marrëveshja finale Kosovë – Serbi.
Shkruan: Musa Preteni
Që kjo marrëveshje është afër e tregojnë jo vetëm deklaratat e diplomatëve e liderëve botërorë, por edhe dorëzimi i dy kryeministrave të Kosovës përballë këtij momentumi politik, apo më mirë të themi vetdorëzim. Pra, është goxha e thjeshtë, Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti nuk ishin të gatshëm ta sakrifikojnë rrugëtimin e tyre politik dydekadësh për një marrëveshje që në çfarëdo forme nuk do të jetë aspak popullore, sepse e tillë nuk ka qenë as Rambujeja e as Vjena edhe pse patën rezultate historike për Kosovën dhe qytetarët e saj. Asnjë proces negociator nuk është popullor, andaj matja e tij bëhet vetëm përmes rezultati që krijon.
Ramush Haradinaj e Albin Kurti u dorëzuan, nuk patën guxim të notojnë më tutje në ujërat e rrëmbyeshme duke përdorur barkën e shpëtimit. Të dy përdorën barkën e njëjtë për të ikur, por që se shumë ndryshe nga njëri tjetri. Ramushi u nis nga bregu i lumit për të dalë matanë, por furtunat dhe rrymat e ashpra të lumit e bën që të dorëzohej, si duket i dhimbsej sakrifikimi i rrugëtimit 20 vjeçar deri tek lumi, andaj kërkonte barkë shpëtimi që të kthehej prapa. Sigurisht për secilin barka ishte e gatshme andaj Ramushi hipi në të dhe u kthye në breg të lumit nga ku ishte nisur. Dha dorëheqje duke përdorur barkën shpëtuese që ka një emër të qartë TARIFË.
Albini përplot eufori e entuziazëm po hynte në lumin e rrëmbyeshëm të cilin e kishte etiketuar përgjatë historisë së tij politike, madje nga aty kishte pasur edhe ngritjen e tij politike për disa vjet nga jashtë e për dyshfishin e saj brenda institucioneve. As Albini nuk kishte guximin e sakrificës, tek e fundit pse do të duhej ta merrnin këtë barrë Ramushi e Albini kur Hashimi drejtoi kaq gjatë vendin e i dha formë procesit negociues për shumë vite. Albini e kishte tashmë barkën e shpëtimit aty, ja la Ramushi të gatshme. Por Albini me të hipur në barkë vendosi ta godas partnerin qeverisës, LDK-në, duke e inatosur e ajo nga inati vendosi ta kthej barkën në bregun ku ishin nisur. Albini suksesshëm arriti të krijojë iluzionin se ai deshi të ecë tutje, por LDK e goditi dhe e ktheu barkën aty ku ishin nisur. Por ky iluzion besohet nga masa e gjerë, pikërisht nga ajo kategori që Albini dëshiron ta besojë. Ai dëshiron të bind masën e aspak politikanët dhe diplomatët ndërkombëtarë. Krejt kjo në shërbim të planit që kryeministri në detyrë tashmë e ka përgatitur, rikthimin e tij në zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të mbahen pas marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë. Tek e fundit kjo është dëshira e Albinit dhe të gjithëve, me përjashtim të Thaçit që është në proces dhe dëshiron t’i japë epilog.
Ka një shpjegim logjik për pozicionimin e liderëve politikë në Kosovë, karshi arritjes dhe angazhimit për marrëveshjen finale Kosovë – Serbi. Është gjeneza politike e tyre, rrugëtimi i tyre politik dhe rrethanat kur u ngjizën si figura publike. Po e filloj me LDK-në e cila lindi në një periudhë kur ishte e domosdoshme të lindte diçka e tillë. Por megjithëse këtij formacioni politik e popullor i printe një intelektual i shquar me një përkrahje të paparë popullore, ai sërish nuk pati guximin të nënshkruajë i pari marrëveshjen e Rambujesë, të cilën Albini e pat kundërshtuar për shumë vite, ani pse ajo dha rezultate historike për Kosovën, solli ndërhyrjen e NATO-s e rrjedhimisht çlirimin. Rugova mbajti bajrakun, siç do ta quante Albini, për disa vite por e lëshoi në momentin vendimtar. E lëshoi tek krahu ushtarak, të cilët pa u menduar shumë e nënshkruan e pas tyre edhe Rugova.
Pra Rambujeja dha rezultatet e saj historike për Kosovën jo për shkak të zotësisë së delegacionit kosovar për negociim, por për shkak të pranisë dhe konsistencës amerikane në proces, garantuesit të shtetit të Kosovës.
Po e vazhdoj me Ramush Haradinajn, cili kishte filluar karrierën si ushtarak i rreptë e luftëtar trim. Komadant zone që nuk i bindej askujt, madje as Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së të cilëve as nuk ua lexonte letrat me vendime e urdhra. Pas luftës Ramushi hyri në politikë por nuk arriti të shkëputej nga e kaluara e tij prej ushtaraku që e konsideronte të shenjtë e si duket edhe armën e fortë për rrugetim në një terren shumë më të ndryshëm se ushtria, pra në politikë. Ai për asnjë moment nuk ka shfaqur ambicie të politikës së jashtme, por gjithmonë në politiken e brendshme, gjë të cilën e dëshmoi edhe gjatë dy viteve kryeministër, kur e la Thaçin të lirë në këtë fushë e dikur hyri edhe vet por u largua shpejt duke demaskuar planet e ashtuquajtura sekrete të ndarjes së Kosovës.
Albini e nisi në rrugë më 1997 si student kundër regjimit shtypës të Milloshevicit, e pas luftës e vazhdoi sërish në rrugë tash kundër klasës politike e kundër misionit të kombeve të bashkuara në Kosovë. Më 2010 hyri në institucione por nuk arriti ta largojë petkun opozitar të rrugës. Pra një politikan i ngjizur në kundërshtimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të Kosovës e sidomos kundërshtar i paepur i prezencës ndërkombëtare në Kosovës nuk ka se si ta rrënoi të kaluarën e tij duke nënshkruar marrëveshje me Serbinë.
E është njëri që dallon nga këta tre të parët, Hashim Thaçi. Ai mori timonin e drejtorisë politike të UÇK-së, të krahut ushtarak që konsiderohej radikalë, por nuk përtojë që menjëherë t’i hyjë komunikimit me nivelet e ndryshme diplomatike, gjë që ja mundësonte edhe veprimi në terren i ushtarëve që kishin kapur pushkën për lirinë e familjes e popullit shqiptar të Kosovës. Thaçi pa hezitim nënshkroi Rambujenë e përkrahu procesin e Vjenës që dhanë rezultatin shtet të pavarur edhe për shqiptarët e Kosovës. Thaçi mori pjesë në dy proceset më të rëndësishme negociatore të Kosovës, por rezultatet nuk ishin meritë as e tij e as një politikani tjetër, ishin produkt i angazhimit dhe mbështetjes amerikane.
Sot, 21 vjet nga Rambujeja kemi përpara një proces shumë të rëndëisshëm për të ardhmen e Kosovës dhe popullit të saj. Marrëveshjen finale me Serbinë të cilës nuk guxuan as t’i afrohen as Ramushi e as Albini. E lanë në mënyrë të qëllimshme Hashimin i cili ka prapa partinë të cilën e ushëhoqi për shumë vjet, pra PDK-në, e po ashtu e ka prapa LDK-në e cila nuk i është ndarë proceseve negociuese por jo duke mbajtur bajrakun deri në fund.
Të ndodhur përballë një situate të tillë duket se marrëveshja finale Kosovë – Serbi është afër e edhe e pashmangshme. SHBA pas një periudhe disavjeçare pauze në kohën e presidentit Obama, e ka kthyer satelitin nga Ballkani. Pikërisht në një kohë të nevojshme e domosdoshme për Kosovën, pas një procesi të dështuar negociatash teknike e politike në Bruksel. Fati i Kosovës është prezenca amerikane në proces përballë një BE-ja që nuk ka arritur të krijojë asnjëherë qëndrime unike.
Në rrethanat e reja të krijuara Albini do të vazhdojë luftën e pakompromis kinse kundër marrëveshjes e cila nuk pritet të jetë aspak popullore, sepse vetëm kështu e mban aktiv masën mbështetëse dhe e mban kondicionin për rikthim kurdo që zgjedhjet mbahen sërish.
Pra dikush është përcaktuar për politikë të bredshme e dikush për të jashtmen, por si duket asnjëri për vizionin e zhvillimit të Kosovës.
/autori është politolog dhe gazetar/