Siguria e qytetarëve të Gjilanit
1) Mungesa e ndriçimit publik në të gjitha lagjet e qytetit, periferi dhe në qendrat e fshatrave: Ka lagje dhe fshatra pa ndriçim publik. Mungesa e ndriçimit publik shkakton edhe ndjenja të pasigurisë te qytetarët. Shembulli më i mirë është Rruga Qarkore, por edhe rrugë në lagje të Dheut të Bardhë, kah Bregu i Djegur, Arbëria, Zabeli etj. Mirëmbajtja e ndriçimit publik është e dobët dhe ka bashkëpunim jo të fuqishëm në mes të Komunës së Gjilanit, Drejtorisë për Shërbime Publike dhe KEDS-it.
2) Kamerat e sigurisë të financuara nga ICTAP-i amerikan (Interagency Career Transition Assistance Program), investim rreth 88 mijë dollarë, për kohë të gjatë nuk janë mirëmbajtur dhe janë ndalur së funksionuari.
3) Shkelja e rregullave të komunikacionit: Nuk ka pasur bashkëpunim të duhur në mes të institucioneve komunale, veçmas Drejtorisë për Shërbime Publike dhe policisë, për t’i adresuar kërkesat e banorëve të lagjeve të ndryshme të qytetit, për shkelje të rregullave të komunikacionit, veçanërisht në lagjen Dardania 1, rruga e fundit “Hyrije Hana”. Banorët kanë paraqitur pakënaqësi disa herë, dhe kohës së fundit, kanë mbledhur peticion nga të gjitha familjet në të dy anët e rrugës, por Drejtoria për Shërbime Publike nuk ka bërë përpjekjen minimale që t’i përgjigjet peticionit qytetar edhe pas kalimit të afatit ligjor, dhe aq më shumë, t’i bëjë zgjidhje. Vozitja me shpejtësi të palejueshme, kamionët mbi 3.5 ton, edhe përkundër shenjave të ndalimit, janë bërë shqetësim i gjatë i banorëve në “Muharrem Ibrahimi” e “Beqir Musliu” në lagjen Dardania 1, e mbushur me kafeteri dhe sjelljet e pahijshme të shoferëve që duan vëmendje në mënyra të tejkaluara tashmë.
4) Mungesa e shtegut për biçiklistë, mungesa e fushatave vetëdijesuese se ekzistojnë edhe biçiklistët, edhe përdoruesit e trotinetit elektrik e mjeteve të tjera, ka rritur pasigurinë e qytetarëve. Përveç të rriturve, fëmijët janë kategoria që aq shumë i duan biçikletat, rollerat, trotinetët, por e kanë të pamundshme të dalin në rrugë publike. As nuk kanë hapësira të përshtatshme, as nuk kanë siguri. Komuna kurrë nuk ka bërë fushatë të bollshme vetëdijësuese, në bashkëpunim me policinë e Gjilanit, për të vetëdijësuar shoferët se përveç veturave e kamionëve, ekzistojnë edhe biçiklistët, edhe përdoruesit e trotinetit që është bërë aq në trend, kohës së fundit. Kategoritë e fundit të mjeteve të transportit për shkak të mbrojtjes së mjedisit, duhen edhe më shumë të promovohen. Ta përjetosh tragjedinë me viktima e trauma në krejt qytetin në qendër të Gjilanit në pamundësinë e shoferit për frenim dhe të mos ndryshosh sjelljen si Kryetar Komune e Drejtori Komunale, do të thotë të mos ruash kujtesën kolektive dhe të mos parandalosh ripërjetimin e traumave.
5) Shkelja e premtimit për biçikletë nga Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri: Në vitin 2014, Kryetari i komunës së Gjilanit ka thënë se ka në plan që t’i hedhë në ankand veturat zyrtare të komunës dhe ato t’i zëvendësojë me biçikleta për zyrtarët komunalë. Këto komente Haziri i bëri gjatë vizitës në kompanitë shumë të respektuara në Gjilan, në “Integj” dhe “Albimi”, duke i premtuar pronarëve, marrjen e biçikletave për shërbimet brenda komunës. Kryetari Haziri edhe kishte premtuar, se personalisht do të shkonte me biçikletë në zyrën e vet të punës, por asnjëherë nuk e pamë më me biçikleta dhe as nuk krijoi mundësi gjatë qeverisjes, që të ketë më shumë hapësira, më shumë trotuare dhe më shumë fushata promovuese për biçiklistët e tjerë. U bënë 7 vjet nga ky premtim i pambajtur!
6) Qentë endacakë: Vetëm në vitin 2019, për 10 muaj, në Klinikën Infektive në QKUK në Prishtinë, janë trajtuar 348 raste me kafshime, kryesisht nga qentë endacakë, me diagnozën Vulnus morsum cani. Në krejt Kosovën, thuhet se janë rreth 150 mijë qenë endacakë. Në Gjilan, siç e kemi dëgjuar edhe nga mediat e Kosovës, janë treguar raste kur punëtoret gra me paga të ulëta shkojnë me petarde në punë nga frika reale e sulmeve prej qenve endacakë herët në mëngjes. Situata në sezonin e dimrit, bëhet pasiguri e madhe për qytetarët e Gjilanit, e veçmas fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe të punësuarit që zgjohen herët për punë. Ka dështuar strehimi i qenve endacakë, ka dështuar bashkëpunimi i Komunës së Gjilanit me komunat e tjera fqinje, për një projekt të përbashkët të strehimit, sterilizimit dhe kujdesit për qentë endacakë.
7) Pusetat e hapura për shumë vjet qëndrojnë të hapura, ose mbulohen me mjete të papërshtatshme nga ndonjë qytetar, duke rrezikuar lëndimin e shumë këmbësorëve, por edhe shkaktim të aksidenteve rrugore, e duke u dëmtuar edhe makinat e qytetarëve tanë. Shembulli konkret është rruga për dalje në fshatin Cërnicë kah Rruga Qarkore, ku për shumë vjet, pusetat janë fare pa kapakë. Pusetat pa kapakë, ose me ndonjë mbulesë të rrezikshme e të paqëndrueshme janë në shumë pjesë të qytetit. Nuk ka mirëmbajtje të vazhdueshme të pusetave në rrugët publike të Gjilanit.
8.) Trotuarët e uzurpuar: Vetëm merrni shembullin e rrugës prej FSK-së e deri në ish-Fabrikën e Baterive, apo në rrugën drejt lagjes Arbëria, apo më e ngarkuara mbetet rruga përballë shkollës fillore “Selami Hallaçi”, ku krejt trotuari i pjesës sipërme, është i zënë me pemë e perime. Pse duhet mbushur dyqani me pemë e perime brenda lokalit dhe krejt trotuari i zënë me speca, domate, patate, lakra, e shtoja këtu edhe kamionë që shkarkojnë e ngarkojnë rrinë për orë të gjata pranë “pilarave”? Pse duhet zënë trotuari për këmbësorë, e veçanërisht për prindërit që dalin të shëtisin me fëmijët në karroce?
9) Shtëpitë e vjetra e me rreziqe: Në Rrugën e Varoshit, apo Rrugën e Prishtinës, është një shtëpi gati se e rrëzuar apo e shembur për shumë vjet. Pavarësisht a është pronari aty a jo, pavarësisht a dihet pronari a jo, pavarësisht a është pronë e kontestuar a jo, kush merr përgjegjësi nëse ndodhë që shtëpitë afër rrëzimit e përskaj rrugëve kryesore me kalimtarë të rastit, të bien e të marrin jetën e këmbësorëve?! Ose ka ndodhur në një familje me persona që kanë nevojë për kujdes nga të tjerët në Dardania 1, ta kenë murin e jashtëm të shtëpisë, gati se u ka rënë këmbësorëve, por komuna e ka shtruar trotuarin përskaj atij muri veçsa nuk ishte rrëzuar, në vend se ta rrëzonte më parë murin e pastaj ta vendoste trotuarin? Për kohë të gjatë muri ishte në atë gjendje dhe shkaktonte pasiguri e rreziqe të shumta për kalimtarët e rastit, e veçmas fëmijët.
10) Hyrja nga Prishtina në Gjilan pa një rrethrrotullim është bërë shpesh pasiguri për makinat, pasi shoferët me vështirësi u japin përparësi njëri-tjetrit. Pse nuk është bërë rrethrrotullimi sa më parë në hyrjen nga Prishtina në Gjilan dhe për aq shumë vjet është pritur, pavarësisht zgjerimit të rrugës që do të bëhej në pjesën tjetër, më vonë?
11) Pasiguria e fëmijëve në internet është një nga problemet kryesore në shumicën e vendeve të botës, e veçanërisht në Kosovë. Qasja e sigurt në internet dhe rreziqet që barten pa edukim mediatik, kurrë nuk është bërë temë, trajnim dhe fushatë sensibilizuese nga Komuna e Gjilanit, veçanërisht nga Drejtoria Komunale për Arsim. Nuk flitet më vetëm për pasigurinë fizike, por edhe për pasigurinë kibernetike, virtuale dhe online, veçanërisht të fëmijëve.
Zyra për Informim e PDK-së, Gjilan
/Hapësirë e rezervuar për fushatë/