Kam vënë re këto ditë nga shumë politikanë dhe analistë të ndryshëm nëpër intervista dhe debate televizive, duke përdorur shprehjen “çështja e Kosovës”, në një kohë kur nuk ka çështje të Kosovës, sepse ajo ka përfunduar me 17 Shkurt 2008, por ka çështje të normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Shkruan: Sabedin Sinani
Me këtë term që është futur në fjalorin politik kohëve të fundit dhe intervista sharlatanë nga disa politikan tanë, po i hapim derën strategjisë serbo-ruse ta rikthejë mbrapa historinë, me idenë që çështja e Kosovës të rikthehet për dialogim në Këshillin e sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Për të argumentuar nevojën e kthimit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së diplomacia serbe dhe ajo ruse po shtrembëron realitetin historik dhe kuadrin juridik të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës si në planin rajonal ashtu dhe në planin ndërkombëtar, duke e rikthyer në vëmendje rezolutën 1244 të miratuar me 10 Qershor 1999 nga Kombet e Bashkuara, edhe pse Serbia nuk ka asnjë lidhje me këtë rezolutë për këto arsye:
*Së pari, se rezoluta 1244 nuk e përmend në asnjë rresht dhe nën të saj emrin “Serbi”. Referenca e rezolutës për një farë sovraniteti të shtetit “RFJ”, është për një shtet tjetër, kurse Serbia është shtet i ri i krijuar në vitin 2006.
*Së dyti, në bazë të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2004 Serbisë nuk i takon asnjë e drejtë, asnjë referencë dhe asnjë pretendim për OKB dhe për rezolutat e saj, për kohën kur Serbia nuk ka qenë anëtare e OKB. Serbia është pranuar anëtare e OKB në fund të vitit 2000. Me këtë argument juridik Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë hodhi poshtë në vitin 2004 padinë e Serbisë kundër SHBA, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe vendeve perëndimore për gjoja agresionin e NATO-s në 1999. Serbia nuk ka qenë anëtare e OKB kur është miratuar rezoluta 1244 në 10 qershor 1999. Kështu që Serbia nuk ka asnjë të drejtë të pretendojë se rezoluta 1244 i takon asaj.
*Së treti, Serbia e din fare mirë se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në korrik 2010 me kërkesë të OKB-së shpalli verdiktin se pavarësia e Kosovës është në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe me rezolutën 1244. Tribunali më i lartë ndërkombëtar i drejtësisë sanksionoi të drejtën e pavarësisë së Kosovës si subjekt i pavarur i së drejtës ndërkombëtare.
*Së katërti, Serbia është larguar nga Kosova me vullnetin e saj në bazë të marrëveshjes së Kumanovës, të cilën e ka nënshkruar qeveria serbe. Pra sipas ligjit ndërkombëtar, Serbia është larguar nga Kosova në bazë të një marrëveshje ndërkombëtare të firmosur prej saj.
*Së pesti, Serbia është larguar me vullnetin e saj nga Kosova dhe i tërhoqi forcat ushtarake, policore, kufitare, administrative të saj nga kufijtë aktualë të Kosovës. Kufijtë administrativë të Kosovës u shndërruan automatikisht në kufij shtetërorë midis dy shteteve, sipas praktikës dhe parimit të pranuar ndërkombëtarësh që kufijtë e shteteve të reja, që dolën nga ish Jugosllavia, do të ndërtoheshin mbi kufijtë administrativë, që ata kanë pasur në kohën e ish federatës Jugosllave.
Ideja serbo- ruse e dërgimit të çështjes së dialogut Serbi-Kosovë në Këshillin e Sigurimit të OKB është tepër e rrezikshme për shtetësinë dhe për pavarësinë e Kosovës. Është e rrezikshme, sepse synon të neutralizojë politikën e drejtë të Perëndimit, SHBA, NATO-s, etj. të cilët kanë mbështetur fuqimisht të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
Është ide e rrezikshme, sepse kjo nismë ka gjetur hapësirë në dosjet dhe në qëndrimet e diplomacisë burokratike të BE. Shefi i politikës së jashtme të BE, Joseph Borrell, deklaroi në Beograd se “pa një marrëveshje të Këshillit të Sigurimit të OKB Kosova nuk mund të jetë një shtet i njohur nga bashkësia ndërkombëtare.
Prandaj është mëse e nevojshme nga Qeveria dhe gjitha forcat politike në Kosovë, një koordinim me SHBA-të dhe miqtë Evropian për t’iu kundërvënë idesë së rikthimit të “çështjes së Kosovës” në KS të OKB, sepse heshtja për kurthet e rrezikshme të diplomacisë serbo/ruse kundër Kosovës dëmton rëndë pavarësinë e Kosovës dhe interesat jetike të kombit shqiptar në Ballkan.