Në emër të Komisionit për Shërbime Publike, kryetari i Komisionit dhe anëtari i Kryesisë së Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Gjilan, Shkëlzen Ibrahimi, ka paraqitur shqetësimet e degës në sferën e infrastrukturës në Komunën e Gjilanit.
“Dhjetëra projekte të mëdha për Gjilanin nuk po punohen, nuk po nisen apo nuk po finalizohen. Kolaps në të gjitha anët”, ka thënë Ibrahimi për t’i numëruar ato.
1. Ngecje dhe regres në realizimin e projektit të autostradës Gjilan – Prishtinë, në të cilin projekt Komuna e Gjilanit duhet ta ngritë zërin dhe të përpiqet së bashku me Qeverinë në realizimin më të shpejtë të kësaj vepre kapitale e zhvillimore.
2. Ngecje në përfundimin e rrugëve hyrje -dalje të qytetit, rrugëve Gjilan – Prishtinë, Gjilan – Kllokot, Gjilan – Bujanoc.
3. Ngecje në përfundimin e plotë të projektit Mirusha, hapësirave të gjelbra dhe rregullimin e platosë në pjesën veriore të qytetit.
4. Mosfillimi dhe shtyrja e punimeve në realizimin e projektit të impiantit për trajtimin e ujërave të zeza.
5. Degradim total në realizimin e projektit të Stadiumit të Qytetit.
6. Mosfillimi i punimeve në projektin Stacioni i Autobusëve.
7. Ngecje dhe mosfillim i punimeve në projektin e Palestrës Sportive”Bashkim Selishta”
8. Mosfillim i punimeve në projektin “Qendra”.
Sipas Ibrahimit, autostrada sipas Qeverisë dhe Komunës, do të duhej të përfundonte në fund të vitit 2023, por se do të shkon edhe viti 2025 e qytetarët e Gjilanit nuk do ta gëzojnë këtë autostradë. Në bazë të ritmeve të kësaj qeverisje në punimet në këtë autostradë, në fillim të vitit 2027 ndoshta do të jenë lëvizjet e para.
Ai tha se kemi vonesa të shumta e pengesa të mëdha që po shfaqen edhe në hyrje-daljet e qytetit. Kolonat e mëdha këto javët e fundit, tregojnë qartë se cfarë probleme kemi me infrastrukturën tonë në hyrje-daljet për Prishtinë, Kllokot e Bujanoc.
“Ende nuk kemi parë asgjë për projektet tejet të nevojshme për ne, që janë Impianti i Ujërave të Zeza, Stadiumi i Qytetit e sheshet e qytetit. Ajo për cfarë do mbaheni në mend, është “muri kinez” që keni vendosur në qendër të qytetit, përmes të cilit keni vendosur t’i ndani sheshet, praktikë kjo që ka habitur edhe ekspertët e komunikacionit por edhe qytetarët tanë. Po të përfundonin sheshet sipas planit, nga Livadhet e Akllapit deri në fund të lagjes Dardania, qyteti jonë do të bëhej me sheshin më të gjatë në Kosovë rreth 3 km, e do të kishte një zhvillim të hovshëm”, ka thënë Ibrahimi i LDK-së.
Sipas tij, gjithashtu, qeveriaj e Gjilanit nuk është në gjendje as të mirëmbajë rrugët e shtruara nga qeverisjet e kaluara. Sinjalizimi në çdo anë të qytetit është i dobët, larg çdo standardi, rregullore dhe ligji të komunikacionit.
Nuk do të mbaheni në mend për asnjë projekt të nisur e të përfunduar nga ju në infrastrukturë, kjo është për turp, ka thënë Shkëlzen Ibrahimi, anëtar i kryesisë së LDK-së së Gjilanit. /2LONLINE/