Një qytetar i Vitisë, i cili ka disa ditë që është shëruar nga COVID-19, ka treguar për gjendjen shëndetësore, trajtimin në spital dhe përjetimet e tij, për gati një muaj sa u përballë me sëmundjen e coronavirusit, raporton PlusTV.
Ka lënë spitalin dhe ka dal nga izolimi pasi është shëruar. I është kthyer familjes e normalitetit në jetë por me vete bartë një histori të trishtueshme por me shumë mësime.
Për 30 ditë një burrë 50 vjeçar nga Vitia, i shëndosh e plotë jetë, do të përballej me një betejë për të cilën në disa çaste pati frikë se do ta humbte.
Në një bisedë për Plus Televizion, në kushte anonimiteti, ka treguar simptomat e rënda që kishte pasur para se të merrte rezultatin pozitiv në testimet për COVID-19.
Ai pretendon se është infektuar sa ishte në punë në teren por nuk e kishte besuar se virusi mund të ishte aq i rrezikshëm derisa e përjetoi vetë infeksionin.
I shëruari tregon për Plus TV për 9 ditët që kaloi në Spitalin Infektiv në Gjilan, bashkë me të tjerët që edhe pse luftuan deri në frymën e fundit, nuk arritën t’ia dalin.
Thotë se sa ishte i shtrirë në spital për 9 ditë nga 19 korriku, pa me sytë e vetë se si ndodhën katër vdekje nga coronavirusi nga pacientë që ishin në moshë jo të vjetër por që virusi u mori jetën.
Vitiasi që mposhti infeksionin i cili po trondit botën, thotë se gjendja shëndetësore e tij ka qenë e rëndë por sipas tij, trajtimi i mirë nga ana e mjekëve në spitalin e Gjilanit ka bërë që fitojë betejën.
Qytetari nga Vitia, emër i njohur për redaksinë, rrëfen se shërbimi ishte shumë i mirë, sa i përket mjekëve dhe infermierëve, i trajtuar me medikamente nga spitali por që në disa raste edhe që ia kanë blerë.
“Kam pas plogështi dhe më humbi apetit e shija e ushqimit, nuk ndieja aromë, kisha ethe e temperaturë të lartë, djersitje, koll kam pas shumë, e dhimbje të madhe, këto simptoma i kisha para se me u shtri në spital si i dyshuar. Pastaj Vitia më kanë dërgu në Gjilan. Pas tri dite qëndrim në repartin e Infektives më kanë bërë testin, kishte mungesë të testeve. Rezultati është vonuar 6 ditë nuk e kam marrë herët. Në spital qëndrova 9 ditë me oksigjenoterapi e me barna, kisha probleme me frymëmarrje, plogështi, kokëdhimbje, tri herë në ditë merrja infuzione ato më kanë ndihmuar. Ndërkohë merrja terapinë me inhalim, kjo më ka ndihmu”, thotë i shëruari nga covid.
“Katër pacientë aty në dhomat tjera afër në infektivë, me probleme me frymëmarrje kanë vdekur, kanë qenë shumë keq prej virusit. Kam pa se si shumë të sëmurë të tjerë gjatë natës fillonin me bërtit prej dhimbjes kërkonin ndihmë, këto kanë qenë momente të rënda”, u shpreh ai gjatë rrëfimit në një intervistë ekskluzive për PlusTV.
“Pas lirimit nga spitali më datë 27 korrik, në vetë izolim kam qëndruar edhe 15 ditë tjera derisa nga QKMF-ja në Viti, përmes telefonit më kanë thënë se je i shëruar bazë analizave”.
“Tash jam mirë me shëndet nuk kam simptoma tjera, virusi nuk ka lënë pasoja tek unë, edhe familjarët e mijë të gjithë janë mirë nuk janë infektu për fat të mirë nuk kanë pas simptoma. Duhet të ruhemi, t’i respektojmë masat sepse virusi ekziston dhe nuk është si gripi i zakonshëm por shumë shumë i vështirë. Jam shumë i kënaqur i falënderojë mjekët në Viti e Gjilan për tretamin mjekësor profesional”, shton ai.
Vitiasi në fund ka dashur që të falënderoj mjekun, Nazim Dauti, që e ka këshilluar dhe është kujdesur për shëndetin e tij e gjithashtu shpreh mirënjohje edhe për Vjollca Kadollin e cila është drejtoreshë e QKMF-së në Viti.
E, sipas kësaj të fundit, në këtë komunë janë edhe 79 raste aktive me COVID-19.
Sipas Kadollit që nga fillimi i pandemisë në Viti kanë humbur jetën 17 të infektuar me Covid derisa janë shëruar 188 pacientë.
BURIMI: PlusTV