(2L ONLINE) – Grupi i Këshilltarëve të PDK-së në KK Gjilan në një kundër reagim të tyre është shprehur se paturpësisë është niveli më i rëndë i një njeriu, i cili ka një përgjegjësi institucionale, sikurse kryetari i komunës së Gjilanit, i cili pa fije turpi reagon dhe akuzon opozitën që kinse po propagandon për gjendjen alarmante të ujit në shkollat e fshatrave të Gjilanit. Ndërsa në anën tjetër mundohet të arsyetohet duke thënë se ka probleme nga reshjet e fundit në Gjilan dhe nga rrjeti i ujësjellësit. Ndërsa në realitet, me asnjërin problem nuk ka të bëjë, gjendja e ujit të kontaminuar.
Kundër reagimi i këtij grupimi opozitar që përbëhet prej, shtatë këshilltarëve: Sahit Abazi, Fatbardha Selmani, Izmi Zeka, Riad Rashiti, Leonora Bunjaku, Bujar Nevzati e Shukrije Rapuca, vazhdon tutje si m ë poshtë:
“Sikur të ishte një kryetar komune, vetëm pak i turpshëm, për këtë gjendje alarmante nga uji i papijshëm nëpër shumicën e shkollave të fshatrave të Gjilanit, do të merrte masa të menjëhershme për këtë papërgjegjësi, me rrezik të lartë për mijëra nxënës të shkollave. Por kryetari e di fare mirë, se përgjegjësia kryesore është mbi vet atë. Sepse ka më shumë se gjashtë muaj dhe nuk është në gjendje të emëroj një drejtor të drejtorisë së shëndetësisë. Pra kjo tregon se kemi të bëjmë me një kryetar komune të paaftë, të papërgjegjshëm dhe skandaloz. Sepse nuk është e rastësishme, që nuk kthehen përgjigjet ndaj kërkesave tona të cilat i drejtojmë ndaj institucioneve komunale, duke i fshehur faktet e shkeljeve ligjore, keqpërdorimeve dhe tani fshehjen e analizave të ujit të kontaminuar.
Pastaj përgjegjësia është edhe mbi UD/2 (Ushtruesin e Detyrës në katror) e shëndetësisë, mbi drejtorin e Arsimit, mbi drejtorët e shkollave, mbi Institutin e Shëndetësisë, i cili është dashur të imponoj realizimin e rekomandimeve të cilat ia ka dhënë komunës për të marr masat ndaj kësaj gjendje të ujit të papijshëm.
Është fatkeqësi e qytetarëve të Gjilanit, kur kemi një qeverisje të tillë, që rrezikon shëndetin e nxënësve, fillimisht duke mos bërë dezinfektimin e shkollave, me rastin e fillimit të vitit shkollor, duke i bërë të mërdhijnë nga të ftohtit nëpër shkolla, tani duke ua rrezikuar shëndetin nga uji i kontaminuar. Kjo është mjerim çfarë po i ndodhë nxënësve të Gjilanit. Vërtet e turpshme.
Ndërsa, paramendoni guximin e një të pavetëdijshmi, si drejtori i shkollës në fshatin Mihir, ku gjithashtu pa fije turpi, reagon dhe gënjen opinionin, duke thënë se këto janë spekulime. Dhe merr guximin, që edhe më tutje të deklarojë se nuk është konstatuar nga instituti se uji është i papijshëm. Definitivisht kësaj i thonë sëmundje e rëndë sistemit menaxhues të Arsimit në Gjilan. Një drejtor shkolle, i cili në vend se të interesohet me kohë, për nxënësit me rastin e fillimi të vitit shkollor, të interesohet tani, për gjendjen e kontaminuar të ujit të papijshëm, të cilin po e thotë raporti i institutit, jo ne si opozitë. (shih foton). Ky drejtor është duke bërë vepër penale dhe do të paraqitet në organet e hetuesisë, për këtë rrezikim të qëllimshëm të cilin po i bënë me vetëdije të plotë, nxënësve duke i bërë thirrje publike, se uji është i pijshëm. Duke thënë se klorimi është bërë në muajin qershor, ndërsa këto analiza janë bërë në muajin shtator të këtij viti.
Paramendoni, një drejtor shkolle çfarë deklaron, merr edhe rolin e mjekut, analistit të ujit, laboratoristit, mbrojtësit të një pushteti të dështuar dhe të papërgjegjshëm, si dhe vlerësimin e opozitës. Të gjitha këto veprime, mund ti bëjë vetëm një person i cili ka nevojë për kontroll te psikiatri.
Ne jemi të detyruar që si përfaqësues të qytetarëve, që për këtë drejtor shkolle, të marrim masa duke iu drejtuar organeve përkatëse të hetuesisë, sepse kjo është më shumë se sa alarmante, rrezik i përgjithshëm dhe me vetëdije të plotë. Ky është vetëm krim, asgjë më shumë e as më pak.
Ne i bëjmë apel, këtij kryetari të komunës, që të merr masa të menjëhershme ndaj kësaj gjendje alarmante të ujit të kontaminuar dhe të bëjë pastrimin, klorimin dhe dezinfektimin e ujit. Përndryshe, na takon edhe neve si opozitë, të veprojmë atëherë kur nuk veprojnë institucionet përgjegjëse dhe kompetente, përfund kundër reagimi i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së në KK Gjilan. /2L ONLINE/