(2L ONLINE) – Kryetari i bordit të klubit futbollistik “Drita”, Besim Ismaili shprehet i kënaqur me zgjedhjen e Selver Xhelilit në pozitën e kryetarit të këtij klubi, dhe ka besim të plotë në realizimin e premtimeve e tij, rreth organizimit dhe sukseseve të klubit në përgjithësi.
“Unë i uroj suksese dhe punë të mbarë dhe i kam kujtuar prej përvojës që kam në Dritë si familje dhe si individ, për kontributin e dhënë Dritës qysh prej viteve 90-ta dhe tani e disa vite në krye të bordit të klubit, se të jesh në Kf.Drita ka vetëm përgjegjësi nuk ka privilegje gjë që e ka kuptuar Xhelili”, ka thënë Ismaili.
Ai tha se shpreson shumë që kryetari i sapozgjedhur Xhelili me përvojën që ka, së bashku me disa shokë e donatorë nga ana e tij, dhe me mbështetjen që ka nga struktura e klubit do ta bëjë që skuadra të shkëlqejë dhe të tregojë potencialin e plotë deri në fund të sezonit vjeshtor.
Ismaili ka garantuar Xhelilin që në punën e tij, nuk do të mund ta pengojë askush. “Xhelili ka mbështetjen e plotë të bordit që udhëhiqet nga unë”, ka thënë Ismaili, i cili prej sa është në krye të bordit ka përcjellë disa kryetarë të klubit Drita dhe nuk lejon parregullsi. /2L ONLINE/