/2L ONLINE/ – Raste të shumta të mashtrimit, brenda dy javëve të para të muajit mars, ishin lajmëruar nga qytetarë të ndryshëm në stacion policor të Rahovecit. Kjo e fundit kishte nisur hetimet për shtatë raste të veprës penale të mashtrimit. Njëri nga rastet ndërlidhet me ‘vjedhje’ ndërsa rastet tjera kishin të bënin me falsifikim të dokumenteve kryesisht aplikacione dhe kontrata të punës duke u prezantuar në emër të një kompanie private.
Zyra për Informim e PK-së, Drejtoria Rajonale, Pejë, përmes një njoftimi ka bërë me dije se personi i dyshuar gjatë kësaj kohe ka përvetësuar para të gatshme dhe pajisje elektronike ku vlera e dëmit është rreth pesë mijë euro. Por, pas një pune të mirë operative, hetuesit e stacionit policor të Rahovecit në bashkëpunim me stacionet tjera policore kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë personin e dyshuar: L. S. i lindur me 03.08.1989 nga Gjilani, me banim në Lipjan.
“Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha masat e duhura, ndërsa në konsultim me prokurorin personi i dyshuar mbahet në ndalim policor. Njëkohësisht stacioni policor i Rahovecit apelon tek qytetarët që të raportojnë mashtrimet e mundshme në Polici dhe që të mos bien pre e mashtrimeve të tilla”, thuhet në raportin policor. /2L ONLINE/
/fotoilustruese/