(2L ONLINE) – Trupi i pajetë i maturantit Blend Selmani nga Gjilani, nga sot e tutje do të pushojë në Varrezat e Qytetit të Gjilanit, ku edhe u varros nën përcjelljen e mijëra qytetarëve. Blend Selmani kishte humbur jetën tragjikisht në Shqipëri, duke rënë nga katet e sipërme të një ndërtese ku po qëndronin maturantët gjilanas që kishin shkuar në ekskursion.
Pikëllim i madh vërehej sot në krejt Gjilanin. Kortezhi me kufomën e tij dhe qytetarë të shumtë ngadalë është nisur sot në drejtim të varrezave të qytetit, nga shtëpia e të ndjerit në Lagjen “Derëmëhallë”, Pjesë e këtij Kortezhi ishin edhe nxënësit e shkollave të mesme të Gjilanit, e veçmas ata të Gjimnazit natyror dhe shoqëror, pjesë e të cilit ishte edhe i ndjeri Blend Selmani. Binin në sy nxënësit me uniformë shkollore, të kapluar nga dhembja e të mërzitur tejmase për shokun e tyre që po i thoshin lamtumirë në kohën më të mirë të jetës.
Përndryshe, në një akademi përkujtimore, të mbajtur në Gjimnazin Natyror në Gjilan, nxënës e mësimdhënës të kësaj shkolle janë mbërthyer në vaj, teksa kujtonin shokun e tyre.
Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, ka thënë se në një formë e një formë tjetër, të gjithë e kanë njohur Blendin, i cili sikurse të gjithë bashkëmoshatarët e tij luftoi për jetë, për mësim e për dije.
“Zoti e merr atë që e do më së shumti, andaj të gjithë duhet të bëhemi të durueshëm”, ka thënë Haziri, që ka shtuar se nga dita e sotme, Bledi do të jetë me ne, por në një formë tjetër.
Nazmi Musa, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Gjilan, ka thënë se jeta e Blendit u mbyll në një ditë të shenjtë, kurse java e ekskursionit u shndërrua në ditë dhembje e pikëllimi dhe që nga sot gjimnazi është me një shok me pak e me një dhimbje më të madhe.
Bekim Mustafa, ushtrues detyre i drejtorit të Gjimnazit Natyror, ka theksuar se kjo ndarje me Blendin është e dhimbshme, ngase do të duhej që bashkë me të të rrugëtonim në nxënien e dijes.
“Po na mbyt kjo ndarje, por duhet të mbështesim njëri-tjetrin, ngase Blendi ishte shembull i mirë, i cili do të na udhëheq në nxënien e dijeve të reja dhe ai gjithmonë do të mbetet nxënës i yni”.
Në emër të nxënësve të Gjimnazit Natyror, të cilët në gjoks po mbanin nga një fotografi të Blend Selmanit e fundit është ndarë Erblina Xhemshiti, shoqe e gjeneratës, e cila duke rikujtuar kohën që kaluan me Blendin, tha se tri vite bashkë ishin sa një jetë e tërë.
“Ai do të jetë me ne e do të jetojë në kujtimin tonë dhe atij sot i themi vetëm mirupafshim dhe jo lamtumirë”, ka thënë Erblina. Xhaxhai i të ndjerit, me lot në sy ka thënë se ishin krenarë që patën një djalë si Blendi, kurse ka uruar që biri i tyre të jetë i fundit që pëson në një mënyrë të tillë. /2L ONLINE/