Kreu i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka bërë me dije se me Ministrin e MAPL-së, Elbert Krasniqi, kryetarë të komunave, përfaqësues nga ministria dhe organizata ndërkombëtare, morën pjesë në tryezën e organizuar për prezantimin e raportit “Ndikimi Socio-Ekonomike i Covid-19 në Komunat dhe Bizneset e Kosovës”.
“Ky raport i hartuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me UN-Habitat, synon mbështetjen ndaj komunave në përballjen me pandeminë Covid-19 dhe inkurajon ato të hartojnë planin e rimëkëmbjes ekonomike lokale”, ka thënë kryetari Hyseni.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, duke parë nevojat dhe kërkesat e komunave gjatë përballjes me pandeminë Covid-19 ka hartuar raportin “Ndikimet Socio-Ekonomike të Covid-19 në Komunat dhe Bizneset e Kosovës” në bashkëpunim me UN-Habibat.
Përndryshe, ministri Elbert Krasniqi, gjatë kësaj tryeze nënvizoi se ky raport është pjesë e planit strategjik operacional të MAPL-së, duke synuar mbështetjen ndaj komunave në përballjen me pandeminë Covid-19. Gjithashtu, Ministri Krasniqi ka theksuar se përmes këtij raporti janë identifikuar dhe adresuar sfidat e Komunave në përballje me pandeminë Covid-19 dhe në bazë të këtyre të gjeturave inkurajohen Komunat të hartojnë planet e rimëkëmbjes ekonomike lokale bazuar në udhërrëfyesin e hartuar nga MAPL. /2LONLINE/