në Kravaricë të Gjilanit përurohet fabrika e parë në rajon për përpunimin e plehut organik “Dhemetra”, e Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila ka marrë pjesë në përurimin e kësaj fabrike përgëzoi pronarin Armend Malazogu me bashkëpunëtorë për fillimin e punës, duke vlerësuar lartë angazhimin për realizimin e projekteve të tilla që kontribuojnë në sigurimin e cilësisë së rritjes industriale, përmes forcimit dhe shtimit të vlerës së prodhimit vendor e poashtu ofrimin e mallrave dhe shërbimeve që reduktojnë degradimin e mjedisit dhe kontribuojnë në rritjen e prodhimit të gjelbër drejt dekarbonizimit.
E gjatë aktit të prerjes së shiritit për hapjen e fabrikës “Dhemetra”, në shoqërim me kryetarin e komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe pronarin e kësaj fabrike z. Armend Malazogu, ministrja Hajdari, ofroi mbështetjen dhe bashkëpunimin me ekipin e fabrikës ‘’Dhemetra’’, për rritje të ndërgjegjësimit në sektorin e prodhimit të Kosovës për produktet e gjelbra dhe eko miqësore, duke maksimizuar shtimin e vlerës së brendshme në procesin e prodhimit dhe më gjerë.
Nga ana e tij, kreu i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka thënë se sot u bë inaugurimi i fabrikës së prodhimit të plehrave organik në rajonin e Gjilanit – investim 4 milionësh
“Bashkë me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, morëm pjesë në inaugurimin e fabrikës për prodhimin e plehrave organik “Dhemetra JV”, kompani me dy pronarë vendorë në bashkëinvestim me partnerë nga Turqia dhe Holanda”.
“Kjo kompani me kapacitete të përpunimit vjetor prej 15.000 ton me vetëm një linjë (me mundësi shtimi edhe një linjë), ka për mision prodhimin e plehrave organike për konsumatorët vendas dhe për eksport dhe zëvendësimin e 5-10% të importeve aktuale të plehrave kimike dhe organike. Dhjetëra punësime, trajnime profesionale për punonjësit, mbrojtje e mjedisit përmes riciklimit të plehut organik si dhe përfitime të drejtpërdrejta për fermerët që do të përdorin plehra organike duke i ndihmuar ata të kursejnë ekonomikisht për shkak të përfitimeve për tokën, mjedisin dhe produktivitetin më të mirë; janë vetëm disa nga përfitimet që do të ketë komuniteti ynë”, ka thënë kryetari Hyseni.
Ai shtoi se vlerë e shtuar e këtij produkti është përdorimi edhe i mbetjeve të tjera shtazore dhe mundësia e certifikimit të produktit organik (bio) nga organizatat që janë të licencuara për vërtetim, si një nga parakushtet për përdorimin e plehrave organike për rritjen e bimëve.
“Jam i lumtur që vendit tonë, e veçanërisht rajonit të Gjilanit po i shtohet një fabrikë e cila do të krijojë bazat për avancimin e mëtutjeshëm të prodhimit bujqësor dhe rritjen e punësimit, duke ndikuar kështu në rritjen e përgjithshme ekonomike”, ka thënë kreu i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni. /2LONLINE/