Sadik KRASNIQI
HUMORI I BUKUR I NJË LIBRI
(Arif Molliqi, “Kreshnikët” e Boksh Barutit”, botoi SHB “Beqir Musliu”, Gjilan, 2023.)
Krijuesi Arif Molliqi, autor me një opus të gjerë te veprave letrare, vjen para lexuesve me librin më të ri poetik të titulluar “Kreshnikët” e Boksh Barutit”. Duke u nisur nga vetë titulli i librit por edhe nga pamja e kopertinës (një plisbardhë e mustakoç me një topuz në dorë) kemi të bëjmë me një poezi me tematikë satirike, parodie e humoristike.
Siç thekson edhe vetë autori në parathënie, libri është një përmbledhje e poezive të shkruara brenda një harku kohor mjaft të gjatë dhe të botuara në gazeta, revista, libra e portale. Duke i qëndruar besnik rrethanave, temave, personazheve po dhe kohës në të cilën janë shkruar e botuar, këto poezi kanë një veçanti dhe atraksion që do ta zgjojnë kureshtjen e lexuesit aktual. Satirat e paroditë molliqiane bëhen pa “pardon”, andaj dukuritë, ngjarjet, fenomenet e personazhet kanë emra konkretë.
Me gjithë llojllojshmërinë tematike të lëndës së kësaj parodie, dominojnë dy segmente, ai politik e kulturor. Në segmentin politik vihet në pah devijimi, përvetësimi, degradimi, e degjenerimi i proceseve shoqërore nga politikanët kodoshë, pushtë e sharlatanë. Ndërsa në atë arsimor e kulturor, parodizohet bukur mediokriteti, snobizmi, provincializmi e primitivizmi i poetëve avdallë që bëjnë orgji me poezi.
Libri “Kreshnikët” e Boksh Barutit” përbëhet prej katër cikleve:”Koha në Ballkan ekspres”, “Tatarët e pushtetit”; “Kreshnikët” e Boksh Barutit” dhe “Tallava demokracia”. Poezitë e librit, duke u projektuar shpesh edhe si këngë, kanë një bukurtingëllim përmes ritmit dhe rimave të bukura fundore. Poetika e librit përmban figura të shumta e që dominojnë epitetet metaforike, metonimike si dhe ironia.
Në fund mund te themi, se duke parë vrullin e një “humori” të përditshëm banal e trivial, që shfaqet e vërshon në mediat tona masive, këto dy-tri fjalë për librin të jenë si sugjerim për lexuesin, ta marrin e ta lexojnë këtë libër në mënyrë që ta përjetojnë një humor të kultivuar e kulturuar. Me një fjalë të kënaqen estetikisht me një humor, satirë e parodi të mirëfilltë.
(Një poezi nga libri)
POET AVDALL
s’po di çka me t´thanë
kam me ardh’ m`u taku me ty
se n’ kujtimet e mia ke hyrë si terri
kur ta pashë fytyrën me arna
pashë se sytë magjia e lakmisë t’i kish marrë
duke u zhargitur nëpër orët e kotësisë
duke i thënë vetes jam korifeu i poezisë
po ti gafil mos rri
se gjunjas kam me ardh’
ballin e ftohtë me ta puth si meit
e dy fjalë me t’i thanë
se malli më ka marrë
o çehrengrysur poet avdall
që i turfullon padronit me servilizëm
o poet “o vëlla, i jemi vëlla”
e kur të takohemi
ti s’ke me besu’
ëndërr ke me thanë, po ëndërr s’â
nejse
kot të pyes se tash e di kush je
merimangë e zezë që thur rrjetën për mua
s’di
rruga e mendjemadhësisë ku po të shpie
“o vëlla, i jemi vëlla”
mbetsha pa ty:
kështu kurrë s’kam dashtë me t`pa
(faqe 27)