Humanizmi i gjilanasve në këtë fillimit të ri shkollor është vënë në dukje në shumë raste, ku njerëz vullnetmirë kanë dhuruar, kanë grumbulluar e kanë shpërndarë mjete shkollore për fëmijët në nevojë, për të cilët, ato pajisje shkollore kanë qenë më se të nevojshme.
Aksione të tilla ka pas mjaftë në Gjilan dhe një aksion i tillë është realizuar edhe nga të rinjtë rotarian të Gjilanit, anëtarë të Klubit Rotarakt “Anamorava”, e ku e veçanta e tyre është se janë vetë nxënës dhe studentë dhe se aksioni i tyre, si edhe në projekte tjera, kryhet kryesisht me forca të tyre vetanake, ndonëse nuk përjashtohet mundësia nëse dikush dëshiron t’i bashkëngjitet projektit.
Anëtarja e RTC “Anamorava”, Ylberza Fazliu, e cila ka drejtuar këtë projekt ka bërë me dije se projekti i sigurimit të mjeteve shkollore për fëmijë në nevojë është financuar nga vet anëtarët e klubit të cilët vullnetarisht kanë dhuruar mjete dhe me mjetet e grumbulluara pastaj janë blerë çanta shkollore dhe pajisje tjera të nevojshme për një nxënës si set vizoresh, lapsa, kimikë, ngjyra të drurit, fletore…
Fazliu thotë se i gëzohet faktit që anëtarët e këtij klubi e kanë përkrahur pa rezervë këtë projekt me aq sa kanë qenë mundësitë e tyre dhe se e veçanta është te vullneti i tyre i mirë për të bërë mirë, duke qenë edhe vet shkollarë.
Ajo tha se një pjesë e mjeteve janë shpenzuar për 8 çanta shkollore, ndërsa pjesa tjetër për blerjen e pajisjeve tjera për të kompletuar sidokudo ato çanta.
Fazliu thotë se ndonëse aktivitetet rotariane në këtë rast edhe të të rinjve rotarian, rotaraktëve, nisën nga vetja e tyre qoftë me shërbim qoftë me mjete, megjithatë si në raste tjera edhe kësaj herë, nuk mungon as përkrahja e të tjerëve, në këtë drejtim mbështetja në rendë të parë të punës së tyre bamirëse nga vet prindërit, pasi thotë se familja e saj ka ndihmuar këtë projekte me plus dy çanta por edhe donacioni i dyqanit “Gjithçka 1 € “Fisi””, që ka dhuruar 4 çanta shkollore, dhe një pako lapsash.
“Nga të gjitha këto pajisje shkollore të siguruara, 12 çanta shkollore të kompletuara me mjetet të tjera shkollore, janë dërguar në Sh.F.M.U “Mulla Idrizi” në Velekincë, kurse dy çanta të tjera shkollore, po ashtu të kompletuara, janë dërguar në shkollën e fshatit Kimetoc, për nxënësit e këtyre shkollave”, ka thënë Fazliu, për të shtuar se krejt ky aktivitet i këtij klubi është bërë intenzivisht për tri ditë.