Human Rights Watch në raportin botëror 2016 të publikuar sot vlerëson se të drejtat e njeriut janë çelës për të ardhmen evropiane.
Raport i ri i Human Rights Watch, ka theksuar problemin e rrugëve transite të Ballkanit Perëndimor që po shfrytëzohen nga emigrantët për të kaluar në vendet tjera evropiane. Këto shtigje sipas kësaj organizate për të drejtat e njeriut po shfaqin gjithashtu nivel të lartë të abuzimit me të drejtat e njeriut.
Sipas raportit, qeveritë në Ballkanin Perëndimor duhet të fokusohen në përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë edhe ato për azilkërkuesit.
Human Rights Watch, thekson se vendet ballkanike që aspirojnë për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të punojnë më shumë në ngritjen e nivelit të respektimit të të drejtave të njeriut
E kjo sipas kësaj organizate përfshin mekanizma efektiv të llogaridhënies për krimet e luftës, garantimin e lirisë së medieve, luftën ndaj diskriminimit të pakicave, mbrojtjen dhe trajtimin njerëzor për azilkërkuesit dhe emigrantët.
Në Raportin 659 faqesh të vitit 2016, Human Rights Watch analizon praktikat e të drejtave të njeriut në më shumë se 90 vende të botës.
Raporti paraqet shqetësimin mbi të drejtat e njeriut, veçanërisht në Bosnje e Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë.
Në të tria vendet përmend diskriminimin e pakicave, posaçërisht romëve, luftën kundër korrupsionit, e sidomos çështjen e krimeve të luftës.
“Progresi në zbatimin e strategjive në Kosovë për integrimin e romëve, ashkalive dhe grupeve minoritare egjiptiane dhe për t’i ndihmuar njerëzit e kthyer në mënyrë të detyruar nga Evropa Perëndimore, ka qenë i limituar. Grupet LGBT vazhdojnë të përballen me ngacmime dhe frikësime në Bosnje Hercegovinë, në Serbi dhe në Kosovë”, thekson raporti i HRW-së.
Sipas Human Rights Watch ka një përparim tejet të kufizuar në hetimin dhe dënimin e krimeve të luftës nga gjykatat kombëtare në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë.
Ka pasur progres të pakët në llogaridhënien për krime lufte në gjykatat vendore në Bosnje e Hercegovinë, në Serbi e në Kosovë. Prokurorët për krime lufte në Bosnje dhe në Serbi nuk kanë mjete të mjaftueshme dhe kanë mungesë të kapaciteteve të nevojshme për t’u marrë me rastet. Ndonëse Parlamenti i Kosovës më në fund kaloi një ligj që themelon një gjykatë speciale që do të gjykojë krimet e rënda gjatë dhe pas luftës së vitit 1999, gjykata ende nuk është operative për shkak të vonesave të shkaktuara gjatë arritjes së marrëveshjes me shtetin nikoqir, Holandën”, thuhet në raportin e HRW-së.