Bashkëveprimtar, familjarë dhe përfaqësues të institucioneve, kanë bërë homazhe edhe pranë bustit të Kadri Zekës në Prishtinë. Me këtë rast u tha se Vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, ishin prijësit e parë të rrugës drejt çlirimit përfundimtar të Kosovës.
Bashkëveprimtari i vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, Hydajet Hyseni, thekson se këta pinjoll të lirisë janë flakadan të janarit që simbolizojnë flakën e pashuar, para dhe pas brezave të tyre. Janë nga heronjtë që nderohen vetëm bashkërisht, duke përfshirë edhe ata që kurorëzuan veprën e tyre, e që janë dëshmorët e UÇK-së, transmeton RTK.
“Përvjetori që po shënojmë sot shënon realizimin e një pjese të madhe të idealeve të Jusuf e Bardhor Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Zahir Pajaziti e të tjerë, po i përmendi vetëm dëshmorët e janarit dhe të gjithë dëshmorëve para dhe pas tyre. Përvjetorët tjerë me siguri do të sjellin realizimin e idealeve të mbetura të tyre”.
Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka u vranë më 17 janar 1982, në Untergrupenbah të Gjermanisë, rrethana që edhe pas 32 vjetësh mbeten ende misterioze. Por Hydajet Hyseni thotë se ata u vranë me urdhër të kreut më të lartë shtetëror të ish Jugosllavisë.
“Po thuhet tani edhe publikisht dhe zyrtarisht ajo që ne e kemi ditur, edhe zyrtarë të ish Jugosllavisë së atëhershme se vrasja e tyre është bërë me urdhrin e kreut më të lartë shtetëror të asaj kohe”, tha Hyseni.
Edhe Kryeministri Hashim Thaçi, ka vlerësuar kontributin atdhetar e patriotik të heronjve të janarit. Ai në rrjetin social facebbok, ka shkruar se gjaku i tre heronjve që u bë Flakë e Janarit të Lirisë së Kosovës, është frymëzim, vendosmëri dhe vizion i brezave që e bënë realitet çlirimin e Kosovës.