(2LONLINE) – Këshilli Organizativ i turneut “Adem Jashari”, në përbërje prej kryetarit Ramadan Selimi dhe anëtarëve, Afërditë Fazliu (zv. Drejtoreshë e DSK), Xhevdet Peci, Artan Muhaxhiri, Latif Demolli dhe Alban Maliqi, ka bërë homazhe në kompleksin përkujtimor të varrezave në Prekaz.
Siç bënë të ditur Artan Muhaxhiri, zyrtar për komunikim me media, të shoqëruar edhe nga nënkryetari I Komunës së Skënderajt, Fadil Nura, këshilli organizativ, ka nderuar dëshmorët e kombit dhe familjen e madhe Jashari. Krahas vizitës në Prekaz, te kompleksi përkujtimor, Këshilli Organizativ, ka zhvilluar një vizitë të shkurtër në Kuvendin Komunal të Skënderajt, ku është pritur nga nënkryetari i Komunës, z. Fadil Nura.
Ramadan Selimi ka informuar, Fadil Nurën për ecurinë e përgatitjeve për edicionin e 15-të të turneut ndërkombëtar të boksit “Adem Jashari”, duke theksuar mobilizimin e të gjithë njerëzve të sportit,
Nura ka theksuar se e ka qenë I informuar për procesin e përgatitjeve për këtë turne, falë promovimit të mirë që I është bërë nga mediat e ndryshme.
Duke konfirmuar prezencën e tij në finalen e madhe të Gjilanit, Nura po ashtu ka thënë se do të mundësojë ardhjen e organizuar edhe të grupit të tifozëve “Shqiponjat e Zeza” nga Skënderaj.
Rreth ecurisë së përgatitjeve dhe përkrahjes nga Ministria për Kulturë, Rini e Sport, ka folur edhe Afërditë Fazliu, e cila ka theksuar se ndryshe nga edicionet e kaluara, duke parë nivelin e lartë të organizimit dhe prestigjin e këtij turneu, është bërë maksimumi që edhe përkrahja materiale të rritet, për të cilën iniciativë është kujdesur vetë Ministri Memli Krasniqi. /2lonline/