Aktivitetet për nder të 5 Majit- Ditës së dëshmorëve të Komunës së Vitisë, kanë filluar sot me homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në Viti.
Me këtë rast një delegacion i kësaj komune në krye me kryetarin Sokol Haliti, kanë vendosur kurora lulesh pranë varrezave të dëshmorëve për të përkujtuar dhe nderuar dëshmorët vitias të cilët ranë për lirinë e vendit.
Homazhe kanë bërë edhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, subjekteve politike, të shëndetësisë, policisë, familjar të dëshmorëve, qytetarë të shumtë por edhe të vegjlit e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Kemajl Azizi” nga Vitia.
Përndryshe gjatë ditës së sotme Kuvendit Komunal i Vitisë, do të mbaj edhe një seancë solemne për nder të kësaj dite.