Sabit RRUSTEMI
/2L ONLINE/ – Me Yrjet Berishën, tashmë i ndjerë ( shkoi në amshim vitin e kaluar më 2 shkurt 2015 ) ishim njohur qysh në fillimvitet e tetëdhjeta, Njëherë përmes publikimeve poetike në shtypin ditor e periodik të kohës. Më pas edhe nga ndonjë veprimtari letrare.
Pastaj, na ikën gati njëzet vite pa u parë.
U ritakuam në vitet e para të pas luftës, në Prizrenin e tij e tonin. Kuptohet, falë një veprimtarie letrare…dhe më vonë, vetëm përmes ndonjë publikimi.
Në qershor të vitit 2011, kur shënuam 15 vjetorin e shkuarjes në amshim të shkrimtarit tonë të shquar, Beqir Musliut, përmes një simpoziumi letrar, përmes një mikut tim kish shprehur interesim për pjesëmarrje në simpozium meqë kish përgatitur temën e doktoratës duke e studiuar në tërësi krijimtarinë letrare të Beqir Musliut. Informacion që mua më kishte munguar. Më pas u sqaruam por, simpoziumi shkoi pa praninë e tij.
Ndërkohë, pas disa bisedave telefonike, u pajtuam që të konkurrojmë me studimin e tij POETIKA E BEQIR MUSLIUT në një konkurs për mbështetje financiare të librit shpallur nga ana e MKRS, gjë që edhe e bëmë.
Megjithatë, si unë po edhe ai, u zhgënjyem me përzgjedhjen e dorëshkrimeve nga ana e Këshillit të Librit të MKRS. Por, nuk u dorëzuam.
Yrjeti iu drejtua Komunës së Gjilanit për ndihmë, po atë vit ( 2013 ).
U përpoqa t’i ndihmoj dhe unë prej anash , ama sërish nuk dhezi. Viti i zgjedhjeve komunale e bëri të veten.
Pas ndryshimeve në kreun e komunës, Yrjeti më telefonoi sërish. Madje edhe përmes mesazheve. “Lutën e ke mik, thuaji se të dëgjon”! Po gjatë 2014 -tës, Luta gjithnjë ankohej për borxhet e shumta të cilat i kish trashëguar …
Në fillim të vitit 2015, kur provoja ta mrrja veten pas një operimi dhe t’ ju kthehesha angazhimeve krijuese e botuese, mora lajmin e hidhur: Yrjet Berisha nuk jeton më në këtë botë. E, mua më mbeti si amanet dorëshkrimi i tij, një amanet që duhej përmbushur.
Me ish përgjegjësin e Kulturës në komunë, Bujar Hazirin, e biseduam disa herë. Gjithnjë më linte me shpresë. “Duhet ta ndihmojmë botimin”.
Në fillim të vitit 2016, sërish konkurrova në MKRS për mbështetje financiare me dorëshkrimin – amanet të Yrjet Berishës: POETIKA E BEQIR MUSLIUT.
Kësaj here Këshilli i Librit nuk u korit si para tri vitesh. Pjesërisht e ndihmoi botimin e këtij studimi letrar.
Tash, POETIKA E BEQIR MUSLIUT, me autor Yrjet Berishën, që kish doktoruar përmes këtij studimi, vjen si libër, pikërisht në 20 vjetorin e shkuarjes në amshim të kryeprotagonisitit të kësaj vepreje.
S’di si t’ ju tregoj, që të dyve, Beqës e Yrjetit, të cilët prehen në paqen e thellë të asaj bote ?
Mbase, përmes lexuesve …