“Historia është prodhimi më i rrezikshëm që kimia e intelektualit ka përpunuar. Të bënë të ëndërrosh, i deh popujt, ngjall kujtime të rreme, ekzagjeron reflekset e tyre, përmban plagët e vjetra, i trazon nga pushimii tyre, çon në çmenduritë madhështisë apo në atë të persekutimit dhe i bën kombet të hidhur, të padurueshëm dhe të kotë. Historia e justifikon atë që duam, nuk mëson rreptësishtë asgjë, sepse përmban shembuj për çdo gjë dhe jep shembuj për çdo gjë.”PaulValéry
Historiani për t’u konsideruar si i tillë, duhet në hallkën e parë të zinxhirit të kuptoj ecurinë: pse-në dhe si-në. Ai duhet detyrimisht të kuptoj kohën e ngjarjes, t’i njeh njerëzit, faktorët shoqëror-politik dhe logjikën e marrëdhënieve që ndryshojnë pa ndërpre. Të përkujtoj se Hegeli thotë për Historinë që ajo është shkencë globale dhe nëse nuk është e ngjeshur mirë në aspektin kulturor, social, fetar, intelektual, gjeografik, i drejtësisë dhe çdo gjë tjetër që përbën karakterin e një populli nuk mund të lihet në zbrazëtirë; në rast të kundërt,historiani me lëndën që trajton, tregon injorancë dhe nuk mund të pretendoj se dha ndonjë kontribut të mirëfilltë shkencor e human.
Në brendinë e historiografisë janë të palejueshme fjalitë me vizione fantazmash të cilat janë të padëshirueshme edhe në romanet historike por lejohet poshtë-lart në ato të quajtura romane nacionale. Me këtë, duhet njëherë e për gjithmonë të lihen anash të gjitha trillimet gjeografike dhe kohore në rrafshin e lashtësisë dhe lavdisë së kombit, kombeve si dhe fytyrave heroike, tradhtare, ose të rëndomta të kohërave gjegjëse. Ky veprim çon drejt një studimi të mirëfilltë që quhet shkencë por duhet të dallojmë akoma kuptimin “histori”. Të flitet për të kaluarën, nuk do të thotë, e as nuk është e mjaftueshme për t’u konsideruar si hulumtim apo më saktë, si studim. Materialet letrare, gazetareske, opinionet dhe narracione të tjera pa bazë hulumtuese quhen “një histori” (Historia e Borëbardhës, Historia e dhelprës dhe korbit…) por jo Histori. Të gjitha llojet e përmendura narrative, kanë qëllime subjektive, mund të jenë të ngritura nga ndonjë fakt historik, por përfundimisht ngelin vetëm në grupin e veprave të pavlera shkencore sepse shtrembërimet janë element primar, ndjekur nga bindjet e autorit, kohës dhe rrethanave aktuale politike.
1. Historia nuk i duron as ndajfoljet të përdorura vend e pavend. Duhet detyrimisht larguar:
a) ndajfoljeve të kohës si: dikur, njëherë, vjet, së shpejti, njëherë;
b) ndf. të sasisë si: shumë, shumë pak, tepër, së tepërmi, për së tepërmi, fort, rrallë, shpesh, mjaft,
c) ndf. të vendit si: larg, pranë, kahmos, gjithkah, kudo, askund, çdokund…
2. Hiperbolën, posaçërisht kuantitativen: 100 herë, 1000 herë;
3. Shprehjet e përafërta si: 2-3 qind, 50-60 mijë…
4. Krahasimet jorealiste ose figurative fyese: i therte si kafshë, i tërhiqte zhag si cofëtina…
Historia edhe në cilësinë pedagogjike shkon më larg se mësimi përmendsh i datave të rëndësishme,janë ato kombëtare apo botërore. Roli i saj është të ngulmoj nga logjika dhe të gjykuarit drejtë, gjë që implikon karakter të fortë, kërkon t’u iket paragjykimeve dhe ndikimeve nacional-romantike dhe shoviniste. E kaluara duhet thënë e detajuar dhe me shikim të ngjarjeve historike si tentativë për një ardhmëri sepse “In historia veritas” është se çdo lëvizje me përmasa, rrënjët i ka drejt ndryshimeve, drejt ngritjes e përparimit; qofshin ato të konsideruara si të dështuara e negative ose të arritura e pozitive.
Terminologjia fyese gjithashtu është shumë e përdorur dhe kjo vjen ose nga mendjemadhësia e historianit ose nga dëshirat dhe pasionet e tija megalomane, e vënies se vetvetes në piedestal patriotik dhe nxitës i nacional-romantizmit dhe shovinizmit etnik e fetar. As me këtë lloj historie dhe historiani nuk kemi ndonjë të arritur të vërtetë të kohërave të shkuara e as mësim e udhëzim për të ardhmen.
Rousseau (1712-1778) në veprën e tij L’Emile, libri,IV. (1762) kur flet për Tukididin jep një gjykimtë bukur dhe aty njëheritjep një shembull të jashtëzakonshëm dhe elegant mbi çështjen se si duhet shkruar historia:
Tukididi është sipas mendimit tim modeli i vërtetë i historianëve.
Ai raporton faktet pa gjykim, por nuk lë jashtë asnjë rrethanë që na bëjnë të gjykojmë vet na. Ai vë çdo gjë që tregon para syve të lexuesit; larg nga ndërhyrja brenda ngjarjeve e lexuesve, dhe përvidhet ; më nuk besojmë se lexojmë, besojmë se shohim.
L’Emile, libri,IV. (1762).
Po në këtë frymë është edhe historiani i famshëm, filozofi, sociologu dhe diplomati andaluz me prejardhje arabe i njohur në Europë me formën e shkurtuar të emrit, IbnHaldun (1332-1406):
Duhet gjithmonë t’u kthehemi rrënjëve (usul) dhe të mbështetemi në vetveten. Një mendje e qartë dhe një sensi drejtë duhet të dallojë, natyrisht, në mes të mundshmes dhe të pamundshmes … Bëhet fjalë për ligjin e të mundshmes së qenësishme mbimaterien e një gjëje të parashtruar.
Në Diskurs mbi Historinë Univerzale“Al-Mukaddima”.
Për fund, dua të them se me demokratizimin e shoqërisë, u hapën mundësi të shumta për njerëzit e të gjitha profileve të publikojnë opinionet e tyre mbi çështje të shumta që preokupojnë dhe ngjallin interes. Në këtë kontekst, shqiptarët të dalur nga lëvizje social politike që rrënoi një sistem diktatorial si dhe nga një robëri shekullore por që ngelën pjesë-pjesë akoma të copëtuar nëpër shtete të ndryshme, iu rrekën me elan historisë për të treguar epërsinë e tyre kulturore, lashtësinë dhe etapat e lavdishme në kohë të kaluara dhe të nxitur nga provokimet e fqinjëve iu rrekën historisë. Berberi rrues, synet-berberi, historian me diplomë të blerë, vorbaxhi e të tjerë …, disi ia nxunë frymën dhe hulumtuesit të mirëfilltë. Ia morrën vendin në media… Historiani serioz mbeti në margjinë se nuk është atraktiv. Ai thotë fjalën i bazuar në të vërtetën e kjo nuk ngjall eufori, as racizëm as përçarje… Shkurt, asgjë për të plotësuar një zbrazëti të kotë.
Kaloi koha e shkrimit të historisë me diktat; erdh koha e historiografisë së hamendjes.