(2L ONLINE) – Në Teatrin e qyteti të Gjilanit, më 28 dhjetor do të vije premierë komedia “Mbledhje n’Parlament”, Në autorësi të Ray Cooney-t, e në regji të Ekrem Sopit, kjo komedi, mëton, siç thotë regjisori, të vë në pah të metat e shoqërisë, përkatësisht të politikës sonë. Sopi thotë se kjo komedi është një pasqyrim i butë i një realiteti, i të metave në politikën tonë, nëse i referohemi asaj çfarë është në të vërtetë, por se ai tha se dëshiron që së paku për 90 minuta, sa do të zgjas shfaqja, qytetarët e ngarkuar të qeshin. Ai ka ftuar të gjithë të shohin këtë shfaqje sepse është një komedi e rafinuar, një shfaqje që mundëson që për pak kohë bile të hiqet stresi i përditshmërisë.
Drejtori i Teatrit Ali Demi, ka bërë me dije se kemi afër këtë premierë për të cilën është punuar mjaftë dhe është bërë një punë e mirë. Ai tha se po përpiqen për të vazhduar punën përkundër që gjendja në teatër, sikundër në përgjithësi në teatrot tonë, nuk është e mirë.
E përgjegjësi i Njësisë Për Kulturë, Rini e Sport, Bujar Haziri tha se kanë mbështetur këtë projekt dhe se në të njëjtën kohë është duke u punuar edhe një shfaqje tjetër. Ai tha se përkundër buxhetit të varfër po punohet në mbështetje të teatrit dhe se në këtë drejtim tha se është e rëndësishme edhe vëmendja e publikut kah teatri sepse aty ka vlera. Ai ka bërë të ditur se do të ndryshojë edhe praktika e deritanishme që premierat janë shikuar me ftesa por, sipas tij, do të bëhen me pagesë.
Edhe aktorët Avni Shkodra, Tringa Hasani, Naser Zymberi e Egzona Salihu, thanë se është punuar me zell në këtë shfaqje dhe se presin që ajo të pritet mirë nga publiku.
Me pak fjalë për shfaqjen:
Ministri i qeverisë shkon në hotel me sekretareshën e opozitës, në kohën kur ata duhej të ishin në mbledhjen parlamentare e cila është duke u zhvilluar në po atë çast. Në hotel do të ndodhën gjithashtu edhe një detektiv privat- cili është duke e përcjellë sekretareshën opozitare, sekretari i qeverisë- për ta ndihmuar ministrin, Roni- burri i sekretareshës, Monika- gruaja e ministrit…. krejt këtë mesele e përziejnë akoma më tepër: Drejtori i hotelit, kamarieri, infermierja dhe pastruesja. Është pra një komedi me plot ngjyra emocionesh, situata komike, muzikë, vallëzim, dyer, dritare, tefonata, kufomë, dashuri, tradhti, globi, fustani, mjeku veteriner apo neurolog, kostumi i dasmës, karroca e invalidit, zarfi i haraçit, kavjari- midhjet dhe shampanja, bazeni i hotelit, dollapi, ballkoni…
Pra, në autorësi të Ray Cooney-t, e në regji te Ekrem Sopit, prodhim i “Teatrit të Gjilanit”, komedia “Mbledhje n’Parlament”, vjen premierë të dielën me 28 dhjetor. Repriza e parë- të hanën më 29 dhjetor 2014. Do të luajnë në këtë komedi: Avni Shkodra, Alban Shahiqi, Njomza Kalaveshi, Tringa Hasani, Artan Selimi, Naser Zymberi, Gëzim Bucolli, Egzona Salihu, Rexhep Maloku, Gyner Halili.
Skenografia dhe kostumografia: Venera Ramadani, Dritat: Fatmir Halili, Rekuizitat, Suad Berisha, realizimi skenografit: Medi Hoti, Haki Aliu dhe Femi Hoti. Garderobiere: Sahadete Arifi. Insipicient Raif Haziri. Ass.regjie: Jashar Shahiqi, organizator Kenan Gurgurovci. Fotografist Fazli Berisha. /2L ONLINE/